Politike

Basha: S’ka asnjë mospërputhje me aleatët. PS: Zgjedhjet në 30 qershor


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nismën e aleateve të tij të koalicionit, Grupimi i Qendrës së Djathtë nuk e shikon si një përçarje mes tyre. Madje sipas tij platforma është pjesë e paktit që firmosi në koalicionin e partive opozitare. “Nuk ka asnjë mos përputhje të qëndrimeve të Partisë Demokratike dhe koalicionit tonë”, deklaroi Basha për mediat.
Kryedemokrati ka zbuluar gjithashtu se PD ka përfunduar një dokument të detajuar javën e kaluar sa i përket detyrave të qeverisë tranzitore në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “PD do ta paraqesë atë në ditët në vijim në mënyrë publike dhe e kemi diskutuar atë me aleatët tanë dhe një pjesë e mirë e aleatëve që kanë shpalosur sot janë edhe pikat e programit tonë. Pra ka një përputhje totale, ndaj të jeni të sigurtë se koalicioni opozitar po vepron në një bashkëpunim, mirëkuptim dhe në një sinergji të plotë për të ecur përpara”, deklaroi Basha për mediat.


Kryedemokrati pyetjes nëse do të ulet në një tryezë politike me kryeministrin Edi Rama e cilëson si një detaj teknik të parëndësishëm.
“Çështjet e tjera janë detaje të parëndësishme, sepse kryesorja është kjo: zotimi kryesor i gjithë koalicionit opozitar që është sot mazhoranca e re politike e numerike në vend është regjistrimi i zgjedhjeve dhe pjesëmarrja në to vetëm kur të ketë me të vërtetë zgjedhje dhe jo një tjetër farsë kriminale. Dhe kushti i padiskutueshëm për të mbetet largimi i Edi Ramës nga qeveria dhe krijimi i një qeverie tranzitore që do të plotësojë kushtet, për të cilat do të keni më shumë informacion në ditët në vijim”, theksoi Basha.
Kreu i PD-së i bëri këto komente pas takimi që pati me përfaqësuesit e Institutit Ndërkombëtar Republikan. PD pritet të bashkëpunojë më këtë institucion sa i përket zgjidhjes së deputetëve të rinj, ku sipas tij do të jetë anëtarësia që do të realizojë këtë proces sipas parimit një anëtar, një votë.
Kjo sipas Bashës do të sjellë më shumë transparencë në vendimmarrje, si një garanci për qeverisjen e ardhshme.

PS refuzon, Balla: Nuk e caktojnë datën e zgjedhjeve partitë
Pas këtyre zhvillimeve që ndodhën nga kampi i së djathtës, ku partitë aleate të PD-së kërkojnë një shtyrje zgjedhjesh lokale dhe qeveri tranzitore, ka ardhur edhe reagimi nga Partia Socialiste.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka hedhur poshtë mundësinë për shtyrjen e datës së zgjedhje lokale. “Duhet të jetë shumë e qartë për këdo që data e zgjedhjeve nuk caktohet nga partitë politike, por caktohet nga Kushtetuta, nga Kodi Zgjedhor dhe data e zgjedhjeve në 30 qershor është një datë e fiksuar tashmë dhe në asnjë rast ajo nuk mund të ndryshojë” u shpreh Balla, në përfundim të një takimi me strukturat të Partisë Socialiste në Pogradec.
“Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm për te dialoguar më në fund në Kuvendin e Shqipërisë përmes një procesi dialogu rikthyem në mbarëvajtje komisionin e reformës zgjedhore dhe që është një instrument i rëndësishëm për të dialoguar lidhur me të gjitha domosdoshmëritë dhe nevojat që ka adresimi i paketës së ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për adresimin e rekomandimeve të OSBE që lidhen me infrastrukturën e procesit zgjedhor dhe kemi hapur mundësitë e hulumtimit për të studiuar ndryshime të sistemit zgjedhor”, theksoi më tej Balla.

Taulant Balla, foto arkivë


Kreu i grupit parlamentar të PS-së tha ndër të tjera se nga forca politike ku bën pjesë gjithmonë ka pasur dëshirë për dialog, por në asnjë rast nuk do të ketë dialog për të venë shkelmin mbi reformën në drejtësi dhe mbi Kushtetutën.
“Ajo që dua të them dhe që është e rëndësishme: në 30 Qershor zgjedhjet do të zhvillohen, unë i bëj thirrje të gjitha partive politike që janë regjistruar në zgjedhje te respektojnë afatet të Kodit edhe për propozimin e kandidateve, por një gjë është e sigurt ne vijojmë punën normalisht, zgjedhjet do te zhvillohen në 30 Qershor dhe kush tenton të bllokoje rrugën forca e ligjit do jetë e ashpër” u shpreh Balla.
Në takimin me strukturat e PS-së, Balla ka paraqitur emrin e kandidatit për kryetar bashkie në Pogradec, deputetin Ilir Xhakolli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë