Politike

Nisin punësimet në këmbim të votës. Kërkohet ndryshimi i Kodit Zgjedhor

Punësimet me kontratë të përkohshme kanë nisur të aplikohen në funksionon të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit. Praktika të tilla punësimi sipas Institutit të Studimeve Politike kanë nisur të zbatohen jo vetëm nga partia në pushtet, PS-ja, por edhe nga ato bashki që drejtohen nga ana e opozitës. Konkretisht shqetësimi lidhet me faktin e logos "Shqiperiaqeduam.al", e cila është simboli i PS-së në fushatën e shkuar për zgjedhjet parlamentare, por që është bërë pjesë e aplikimeve online të këtij portali në çdo institucion qendror, agjenci dhe lokal.

“ISP ka evidentuar raste të orientimit të investimeve shtetërore e bashkiake në funksion të objektivave elektorale, të përdorimit të simboleve partiake në zyrat shtetërore (KQZ ka adresuar shkresë në të gjitha institucionet shtetërore për heqjen e fotos me simbole partiake nga portali shtetëror www.shqipëriaqeduam.al), ka evidentuar aplikime të praktikës së kontratave të përkohshme në prag të fushatës elektorale apo elementë të tjerë, të cilët mund të përbëjnë cenim të standardeve zgjedhore. Monitorimi dhe evidencat tona kritike nuk lidhen vetëm me qeverinë qendrore, por edhe me bashkitë Durrës, Kamëz e Vlorë, ku drejtojnë parti dhe koalicione të ndryshme politike”, thuhet në reagimin e ISP-së.

Shqiperiaqeduam, portali qe u lancua nga kryemnistri qe ishte simbol i fushatës elektorale


Për të shmangur këtë situatë, e cila krijohet nga mungesa e vakuumit ligjor, ISP i është drejtuar me anë të letre KQZ-së dhe dy bashkëkryetarëve të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, socialistes Blerina Gjylameti dhe demokratit Oerd Bylykbashi. Mbi bazën e kësaj letre kërkohet që ndryshohet ligji elektoral dhe ai për partitë politikë.
ISP rekomandon që dispozitat që lidhen me nenin 88 të Kodit Zgjedhor apo me legjislacionin e partive politike, për ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën elektorale, përfshirë logo, simbole, reklama identifikuese, etj, meritojnë një trajtim më të plotë dhe me shtrirje në kohë nga momenti kur del dekreti i Presidentit të Republikës për datën e zgjedhjeve.
Gjithashtu propozohet që partitë politike duhet të përfshihen në aplikimin e dënimeve kryesore që parashikon Ligji “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridik”. Ky ligj ka si objekt marrjen në përgjegjësi penale dhe caktimin e masave ndëshkuese (Kryesore dhe Plotësuese) që ushtrohen ndaj subjekteve juridike, krahas atyre me natyrë administrative.

Logo e platformës me zyrat e Hipotekës


ISP propozon amendimin e Nenit 173 të Kodit Zgjedhor, ku krahas sanksioneve për shkelje të rregullave mbi financimin e zgjedhjeve, të cilat ndëshkohen me gjoba në ngarkim të subjekteve politike si dhe ndaj donatorëve e partive politike, duhen parashikuar sanksione të posaçme për çdo titullar, zyrtar apo institucion shtetëror dhe ent publik, i cili në mënyrë të paligjshme është vërtetuar se ka ofruar në kundërshtim më ligjin burimet e tij njerëzore ose materiale në favor të subjekteve të caktuara politike.
ISP propozon amendimin e Nenit 92 pika 3 e Kodit Zgjedhor, duke parashikuar në mënyrë eksplicite në këtë dispozitë shmangien e çdo forme të konfliktit të interesit midis audituesit financiar të emëruar nga KQZ dhe subjekteve politike. Mendojmë se kjo dispozitë duhet harmonizuar në referencë edhe me ligji “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”.
Një ndër propozimet e tjera që ISP-ja propozon është ndryshojë neni që parashikon deklarimin e fondeve për donacionet, duke kërkuar heqjen e kufirit që është në ligjin “Partitë Politike”.
“Kërkojmë që Partitë Politike të deklarojnë dhe publikojnë çdo fond të dhuruar, duke hequr kufirin prej 100 mijë lekësh të vendosur aktualisht. Mendojmë se kjo do të rritë standardet e transparencës dhe informimit të subjekteve politike karshi publikut”, thuhet në propozimin e ISP-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë