Bota

Kaos dhe protesta në Francë, barrikada në rrugë dhe përleshje të ashpra me policinë (video)

Gazeta Si – Në Francë kanë nisur protestat mëngjesin e kësaj të mërkure, me përleshje, barrikada dhe protesta në të gjithë vendin pas emërimit të Sébastien Lecornu si kryeministër nga Presidenti francez Emmanuel Macron.

Tensionet janë të larta në Paris dhe qytete të tjera, me barrikada dhe arrestime të raportuara edhe në Marsejë. Deri tani, mediat raportojnë për më shumë se 100 të arrestuar.

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë nisur tashmë në disa zona të Parisit dhe qyteteve të tjera.

Autoritetet u përplasën mëngjesin e së mërkurës me nxënës jashtë gjimnazit Hélène-Boucher në Paris. Koshat e plehrave u përmbysën dhe u hodhën drejt mjeteve të policisë, ndërsa të rinjtë e dhunshëm hodhën edhe objekte ndaj efektivëve.

Për shpërndarjen e turmës së protestuesve, shumica e të cilëve kishin mbuluar fytyrat, u përdor gaz lotsjellës.

Në fakt, Franca ishte përgatitur për një ditë trazirash të forta, pasi mobilizimet me moton “Të bllokojmë gjithçka” pritet të shkaktojnë probleme serioze në transport dhe në shërbimet bazë, si shenjë proteste ndaj masave qeveritare të kursimit.

Lëvizja “Bloquons tout” – e cila lindi gjatë verës përmes rrjeteve sociale dhe mbështetet nga disa sindikata dhe e majta radikale – ka bërë thirrje për paralizimin e vendit që nga sot.

Siç është njoftuar, rreth 80.000 policë dhe xhandarë do të dislokohen në mbarë Francën, ku po organizohen dhjetëra aktivitete proteste kundër politikave të Macron, ndërsa Shërbimi i Aviacionit Civil parashikon probleme dhe vonesa në të gjitha aeroportet franceze.

Lecornu bëhet kryeministri i shtatë gjatë presidencës së Macron, i pesti që nga fillimi i mandatit të tij të dytë pesëvjeçar në vitin 2022.

Ky zhvillim është i paprecedentë në Republikën e Pestë Franceze, e cila ka hyrë në një krizë të pashembullt që nga shpërndarja e Asamblesë Kombëtare në qershor 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë