Analize

Nisin procedurat për shkarkim, Trump anulon takimin me liderët e Ballkanit

Presidenti Donald Trump ka anuluar takimet me liderët e Ballkanit Perëndimor, pasi demokratët kanë nisur procedurat e shkarkimit të tij. Kreu i Shtëpisë së Bardhë liderët e rajonit në Nju Jork në kuadër të Kartës së Adriatikut, për të konsoliduar më tutje bashkëpunimin rajonal në çështjet e sigurisë, por zhvillimet e papritura duket se e detyruan të kthehej në Uashington.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se do të nisë një hetim zyrtar nëse Trump duhet të shkarkohet. Dhoma e kontrolluar nga demokratët do të shqyrtojë nëse Trump i bëri presion Ukrainës për të investiguar djalin e ish-Zëvendës Presidentit Joe Biden, një nga kandidatët kryesore për garën presidenciale të vitit 2020. Në një seri postimesh, Trump hodhi poshtë vendimin për të filluar hetimet për shkarkimin e tij, duke i quajtur “gjuetie shtrigash”.

Raportet nga mediat greke bëjnë të ditur se takimi mes Trump dhe liderëve të rajonit, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, mund të shtyhet për të mërkurën. Por çfarë mund të ndodhë me hetimin e nisur ndaj presidentit Donald Trump dhe a mund të shkarkohet vërtet presidenti?

Partia Demokratike e akuzon kreun e Shtëpisë së Bardhë ai bëri presion një fuqie të huaj për të dëmtuar një rival politik. Demokratja Pelosi tha se presidenti “duhet të mbajë përgjegjësi”. Në Dhomën e Përfaqësuesve ekziston një mbështetje e fortë nga demokratët për shkarkimin e tij, por procedurat nuk ka të ngjarë të kalojnë Senatin e kontrolluar nga republikanët.

Presidenti Donald Trump, Gazeta Si, 25 shtator 2019

Kjo lëvizje drastike, vjen pas akuzave se zoti Trump i bëri presion presidentit ukrainas për të hetuar rivalin e tij kryesor politik Joe Biden. Tentativa për shkarkimin e tij duket se ka shkaktuar një konfrontim të jashtëzakonshëm midis demokratëve dhe presidentit përpara zgjedhjeve të vitit 2020.

Nëse hetimi ecën përpara, Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për çdo akuzë dhe me demokratët në shumicë, votimi ka të ngjarë të kalojë, duke e bërë zotin Trump presidentin e tretë në historinë e SHBA-së që tentohet të shkarkohet.

Por procedurat me siguri do të ngecin në Senat, ku Partia Republikane ka një numër të mjaftueshëm për të parandaluar largimin e tij nga detyra.

Si arritën përplasjet deri tek shkarkimi?

Demokratët, përfshirë edhe zonjën Pelosi, kishin rezistuar ndaj thirrjeve brenda partisë për të filluar procedurat e shkarkimit. Por pas muajsh vetë-përmbajtjeje, zonja Pelosi u bind se veprimet e raportuara të presidentit Trump dhe refuzimi i administratës së tij për të ndarë me publikun detajet e shumë vendimeve të tij, nuk i lanë Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhje tjetër, përvrcse të çonte përpara hetimin.

“Prandaj sot unë jam duke shpallur se Dhoma e Përfaqësuesve po ecën përpara me një hetim zyrtar lidhur me shkarkimin”, tha ajo.

Zonja Pelosi tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë lidhur me ankesën e një informatori të inteligjencës që ka të bëjë me telefonatën midis zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, ndërkohë që administrata refuzon të dorëzojë përmbajtjen e ankesës.

Ajo tha se ishte e qartë se kreu në detyrë i inteligjencës kombëtare, Joseph Maguire po shkelte ligjin, duke mos lejuar që përmbajtja e telefonatës t’i kalojë Kongresit.

Nancy Pelosi, Gazeta Si, 25 shtator 2019

“Një ditë kaq e rëndësishme në Kombet e Bashkuara, kaq shumë punë dhe kaq shumë sukses, dhe demokratët me qëllim duhej ta prishnin atë me më shumë lajme me këtë ndjekje shtrigash”, shkroi ai. “A mund ta besoni këtë?”, tha Trump.

Ai ka pranuar se ka diskutuar për Joe Biden me Zelenskyn, por mohoi që ai bëri presion ndaj presidentit ukrainas për të hetuar rivalin e tij politik.

Si shkarkohet një president amerikan?

Dy presidentë janë shkarkuar në Dhomën e Përfaqësuesve në historinë e SHBA-së – Andre Johnson në 1868 dhe Bill Klinton në 1998. Por asnjëri nuk u largua nga detyra nga Senati. Ndërsa Richard Nixon dha dorëheqjen në gusht 1974 përpara se të shkarkohej.

Kushtetuta amerikane e lejon Kongresin të largojë nga detyra presidentët para se mandati i tyre të përfundojë, nëse shumica e ligjvënësve votojnë duke thënë se presidenti ka kryer “tradhëti, ka marrë ryshfet, ka bërë shkelje të rëndë ose keqbërje tjera”.

Si në rastin e Nixonit, ashtu edhe në atë të Clintonit, Komiteti për Drejtësi i Kongresit, zhvilloi një hetim dhe i rekomandoi procedurën e shkarkimit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në teori, megjithatë, Dhoma e Përfaqësuesve mund të krijojë një panel të posaçëm për të trajtuar procedurat, ose mund të hedhë në votim idenë e shkarmit pa formuar një komision të posaçëm. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton me shumicë duke e shpallur fajtor presidentin, atëherë kjo është e barazavlefshme me të qenurit i akuzuar.
Më pas procedura kalon në Senat, i cili e zhvillon një proces gjyqësor të mbikëqyrur nga kryetari I Gjykatës Supreme.

Por shkarkimi është një çështje që ka ngjallur mosmarrëveshje. Nëse çështja Trump arrin deri në Senat, atëherë ligjvënësit republikanë që përbëjnë shumicën, mund të votojnë për të hedhur poshtë menjëherë akuzat kundër tij pa marrë parasysh provat.

Kushtetuta amerikane nuk e specifikon shumë, duke e bërë fajësimin dhe shkarkimin më shumë një çështje të vullnetit politik se sa subjekt të një analize ligjore.

Për shembull, Kushtetuta nuk detajon se si ligjvënësit mund të zgjedhin të interpretojnë atë që bën apo nuk përbën “tradhti, ryshfet, apo shkelje të rënda”.

Por, se çfarë përbën “shkelje të rëndë” është e paqartë. Historikisht, ato mund të përfshijnë korrupsionin dhe abuzimin me besimin e publikut. Një president nuk ka nevojë të ketë shkelur një ligj specifik penal për të kryer një shkelje të rëndë. Shumë analistë ligjorë kanë thënë se presioni ndaj një lideri të huaj për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së është lloj sjelljeje që themeluesit e kombit do ta konsideronin një vepër të pafalshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë