Pas helmimit të më shumë se 1500 personave në rrethana misterioze në Deçan, autoritetet në Kosovës kanë nisur hetimet për të kuptuar se nga çfarë u sëmurën banorët e rajonit jugor. Prokuroria Themelore e Pejë po heton në terren dhe ka lëshuar si fillim një urdhër për intervistimin e disa personave. Fillimisht pista fillestare e hetimit ishte helmimi nga uji, por analizat e para treguan se mostrat e ujit nuk përmbanin substanca të dëmshme.
Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka thënë se Kryeprokurori i kësaj prokurorie ka caktuar dy prokurorë për këtë çështje.
“Si urdhëresë e parë ka qenë të bëhet sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe sigurimi kamerave nga kamerat e sigurisë në rajon dhe pista të tjera të hetimit dhe gjithashtu të bëhet intevistimi i zyrtarëve të kompanisë ‘Hidrodrini’, zyrtarëve të mjekësisë familjare në Deçan dhe personave të tjerë që kanë qenë pjesë e hetimit”, ka thënë Nikqi.
Ngjarja ka marrë në rrjedhë tjetër nga disa fotografin të publikuara në rrjetet sociale, në të cilën pretendohet se shihen dy serbë të dyshuar rreth një prej burimeve të ujit në rajon. Të rinjve serbë kanë qenë shumë pranë pusetave të ujit. Ata janë konstatuar nga pronari i një resorti dhe ky i fundit, i ka parë si të dyshimtë dhe ka njoftuar policinë.

Por Nikqi tha se nuk e ka autorizimin të flasë në lidhje me këtë çështje. Ai nuk dha ndonjë shifër se sa persona do të intervistohen nga prokuroria, pasi sipas tij janë të dhëna konfidenciale, por që tha se intervistimi ka filluar.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se janë marrë disa mostra të cilat do të dërgohen jashtë vendit për analiza më specifike.
“Të gjitha hapat e nevojshëm në hulumtimin e burimit të helmimit janë ndërmarrë menjëherë të dielën në mëngjes. Gjatë fundjavës janë mobilizuar të gjitha ekipet të cilët po vazhdojnë punën në mënyrë aktive në ditën e katërt sot bashkë me ekipet e Pejës, Prishtinës, Gjakovës dhe Prizrenit. Ndërkohë IKSHPK vazhdon hulumtimin në terren dhe grumbullimin e anketave epidemiologjike nga qytetarët dhe familjet e prekura dhe raporton në vazhdimësi për rrjedhën e hulumtimit”, tha ai.
Dyshimet janë rritur edhe pasi një emigrant i ardhur para tre ditësh në Kosovë thotë se gruaja e tij është duke marrë trajtim mjekësor me simptoma helmimi, ndonëse nuk kanë përdorur ujësjellësin fare, por ujë të ambalazhuar.
“Kam ardhur para tre ditësh nga Zvicra, sot gruaja ime është në emergjencë. Dua të them se prej që kemi ardhur nga Zvicra dhe deri në këtë minutë nuk kemi pirë ujë, vetëm të blerë se nuk e përdorim ujin e ujësjellësit. E përdorim vetëm për të larë enët”, thotë Ramë Tetaj Tetaj.
Sipas Tetajt bashkëshortja ankohet për të vjella dhe diarre, dhe se edhe vëllai dhe gruaja e tij janë po ashtu me simptoma helmimi.
Komuna e Deçanit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e helmimeve. Banorët thonë se e pinë këtë ujë prej katër vitesh dhe nuk kanë patur asnjëherë probleme.
Një nga banorët e fshatit Prilep të Deçanit Hysni Dabiçaj bashkë me pesë anëtarë tjerë të familjes kanë ndjerë simptomat e helmimit që nga dita e premte.
“Mua simptomat më janë shfaqur të premten, ndërsa familjarëve të tjerë të shtunën…Të gjithë kemi pasur të njëjtat simptoma” tha ai për mediat. “Kanë rënë disa shira dhe uji ka ardhur i turbulluar nja dy ditë. Diçka ka ndodhur, pasi ne e kemi përdorur këtë ujë prej katër vitesh. Është e çuditshme”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




