Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, thotë se takimi i radhës Vuçiç-Rama-Zaev, nuk zhgënjeu askënd nga pritshmëria.
“…Populli në Shqipëri e di dhe e njeh mirë problemin madhor me korrupsionin që gëlon e ka kapur çdo cep të shtetit shqiptar. Hajnia e inceneratorëve është veçse maja e pirgut të malit të qelbur nga vjedhjet, korrupsioni dhe degradimi në këtë vend.
Populli serb e njeh mirë dhe është në sheshet e protestës kundër inkriminimit dhe rrjetit të krimit të organizuar që kontrollon shtetin në atë vend.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, i njohin mirë skandalet e korrupsionit që kanë shpërthyer nga qeverisja aktuale atje.
Pra këto modele korrupsioni në vendet përkatëse nuk janë produkte evropiane e as të shkaktuara nga qeveritë e vendeve të BE por qeveritë e Ramës, Vuçiç dhe Zaev..
Në fakt, Bashkimi Evropian ka një përgjegjësi morale e politike në këtë histori korrupsioni e antiligji në vendet kufi me të.
BE duhet të distancohet prerë e qartë nga modelet e korrupsionit dhe antiligjit që qeverisin sot Shqipërinë, Serbinë e Maqedoninë e Veriut”, shkruan Nishani.
Ish-Presidenti që sot është rreshtuar krah Berishës ndan të njëjtin mendim me këtë të fundit se ky projekt “ka synime të pastra politike në shërbim të hegjemonizmit serb si dhe të ndërtojë një mekanizëm destabilizimi në duart e fuqive anti-Perëndim, anti-Evropë”.
‘Platforma e copëtimit të Bosnje & Herzegovinës, paralizimit të shtetit të Malit të Zi, izolimit të Kosovës dhe anulimit dé facto të pavarësisë së saj, është agjenda e qartë e projektit serb të Novi Sad-it që ka përvetësuar emrin e Ballkanit.
Vetëm përpara pak ditësh Presidentja e Kosovës dhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, e denoncuan dhe kundërshtuan platformën Vuçiç-Rama-Zaev.
Rikthimi i rajonit tek bashkëpunimi ekonomik nën CEFTA , siç kanë nënshkruar e dakorduar më parë, duke respektuar parimin e reciprocitetit dhe respektit të ndërsjelltë është premisa më e mirë në zhvillimin e përbashkët ekonomik dhe harmonizim për Proçesin e Berlinit”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.