Nga Gazeta ‘Si’- Në kërkim të votës së qytetarëve, partitë politike nisin sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” janë të parët që do hapin fushatën me një miting në sheshin “Nënë Tereza”, në orën 19:00. Figura qendrore e kësaj fushate do jetë Chris Lacivita, strateg politik amerikan që pritet të drejtojë nga afër këtë garë për PD-në.
Ndërkohë, ndryshe nga herët e tjera Partia Socialiste zhvillon sot takime në të 12 qarqet me gratë një kategori që PS e konsideron themel të mbështetjes elektorale, por edhe pjesë të rëndësishme të përfaqësimit në politikë.
Fushata zyrtare e PS hapet më 12 prill në orën 12:00, si simbolikë ndaj 12 yjeve të Bashkimit Evropian, destinacion që socialistët e vendosin në qendër të programit të tyre me sloganin: “Shqipëria 2030 në BE”.
Edhe Lulzim Basha do të çelë gjithashtu fushatën më 12 prill, një orë përpara socialistëve, nën logon e koalicionit euroatlantik, duke kërkuar të mbajë një profil të pavarur nga fraksioni Berisha.
Në këtë garë, secili koalicion ka 186 kandidatë për deputetë, sipas formulës së re zgjedhore: 140 nga lista e hapur dhe 46 nga lista e mbyllur.
Ndërkohë, përplasjet verbale mes liderëve kanë nisur me tone të forta, ku kryeministri Rama ka ironizuar “shpresën amerikane” të demokratëve. Rama është shprehur optimist për një mandat të katërt, duke përmendur se PS mund të fitojë “edhe më shumë se 77 deputetë”.
Me ndarje të thella në opozitë dhe një PS që kërkon konsolidimin e pushtetit përtej 2025-ës, zgjedhjet e 11 majit pritet të jenë ndër më sfidueset e viteve të fundit, ku jo vetëm dy partitë kryesore, por edhe forcat e reja do kërkojnë të bëjnë historinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.