Kosova

Nis zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për dokumentet, Kurti: Dy muaj afat të ndryshoni targat

Gazeta Si – Pas mesnatës së kësaj të enjteje, 1 shtator, Serbia dhe Kosova nisën zbatimin e marrëveshjes për qarkullimin e lirë.

Beogradi zyrtar pranoi dy vendimet e qeverisë Kurti, për reciprocitetin e dokumenteve të identifikimit të qytetarëve të dy vendeve dhe tjetri për targat serbe të automjeteve me akronimet e qyteteve të Kosovës.

Marrëveshja u arrit më 27 gusht, me ndërmjetësimin e emisarit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Marrëveshja e 27 gushtit ka nisur të zbatohet sot në pikat kufitare të Jarinjës dhe Merdares.

Raportohet për një situatë të qetë. KFOR vazhdon të jetë i stacionuar nëpër pika të ndryshme përgjatë rrugës që të çon në Jarinjë.

Në Merdarë, qytetarë serbë kane kaluar kufirin në të dy anët. Në Jarinjë, gjithashtu gjithçka ka shkuar mirë.

Kryeministri Albin Kurti, u është drejtuar edhe njëherë në gjuhën serbe qytetarëve serbë në Kosovë, për t’i njoftuar se kanë 61 ditë afat që t’i konvertojnë targat e tyre në “RKS”.

Shefi i qeverisë tha se targat që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës kanë skaduar në tetor të vitit të kaluar, ndërsa ua kujtoi atyre se ato janë nga koha e Millosheviçit.

“Targat janë trashëgimi i regjimit të Millosheviçit. Kjo trashëgimi është një barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar”, tha ai.

Kurti, përmes një video të publikuar në Facebook, i njoftoi serbët për qendrat e regjistrimit të automjeteve ku mund t’i konvertojnë targat.

“Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës…. Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre”, tha Kurti.

Ai ritheksoi se qytetarët që i ndërrojnë targat, lirohen nga taksa e detyrime tjera që arrijnë vlerën deri në 5,000 euro.

Më herët, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, vëzhgoi nga afër siuatën pas mesnate dhe konfirmoi zbatimin e  marrëveshjes.

“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe nga pikat kufitare në Merdarë, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë.

Nga pika kufitare e Bernjakut ai tha se ky është nje lehtësim i madh për shtetasit qe udhëtojnë për Serbi.

Pronarët e automjeteve, do t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Ky vendim ishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht, por për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës vendimi i shty për një muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë