Politike

Nis votimi nga jashtë, zgjedhësi i parë me vendbanim në Gjermani merr fletën e votimit

Gazeta Si – Procesi i votimit nga jashtë kufijve të Shqipërisë ka nisur zyrtarisht nga kjo e martë. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tregoi se zgjedhësi i parë që mori fletën e votimit ishte një shqiptar me vendbanim në Gjermani dhe votues në Qarkun Dibër.

“Votimi nga jashtë ka nisur! Sot, në orën 07:15, zgjedhësi i parë nga jashtë vendit, me vendbanim në Erlangen, Gjermani dhe votues në qarkun Dibër, ka marrë fletën e votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve! Ky është një hap i rëndësishëm për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit në procesin demokratik të Zgjedhjeve të 11 Majit 2025”, njoftoi Celibashi.

Sipas Celibashit, qytetari i parë që ka përfituar nga kjo mundësi është një zgjedhës me banim në Erlangen, Gjermani, i cili është i regjistruar si votues në qarkun e Dibrës. Ai ka marrë fletën e votimit nga KQZ në orën 07:15 të mëngjesit të sotëm.

“Kjo është një arritje e madhe për përfshirjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit në procesin demokratik,” shkruan Celibashi, duke theksuar rëndësinë e këtij hapi për garantimin e një përfaqësimi sa më gjithëpërfshirës.

Kjo është hera e parë që shqiptarët jashtë vendit kanë mundësi të votojnë në zgjedhjet në Shqipëri.

Atyre do u dërgohet fleta e votimit me postë. Në listën e zgjedhësve nga jashtë vendit janë rreth 246 mijë shqiptarë.

Deri më tani, sipas të dhënave të KQZ, zarfet me fletët e votimit u janë dërguar mbi 75 mijë të tillëve, ndërsa 15 shqiptarë e kanë marrë atë në dorë.

Qarku që ka numrin më të lartë të zgjedhësve nga jashtë është Tirana, e ndjekur nga Fieri dhe më pas Elbasani.

Me këtë hap, mijëra shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës do të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhjet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë