Sociale

Nis viti i ri shkollor nën masat anti-Covid. Mësuesit me detyrim vaksinën ose tampon çdo javë

Këtë të hënë ka nisur në të gjithë vendin viti i ri shkollor për sistemin parauniversitar. Ashtu si viti i kaluar, edhe këtë sezon në respektimin e masave anti-Covid, rreth 480 mijë nxënës janë ulur në bankat e shkollës, mes të cilëve mbi 30 mijë do të ulen për herë të parë.

Deri më tani, është zhvilluar mësimi plotësues për të rikuperuar njohuritë e humbura dhe ka qenë në dëshirën e nxënësve, por nga sot shkolla ka nisur zyrtarisht.

Mësimi do të zhvillohet  me një deri në katër turne, ndërsa orët do të zgjasin nga 25 deri në 45 minuta në varësi të kapacitet të shkollës.

Në ndryshim nga viti i kaluar,  mësuesit do të rikthehen në klasa të vaksinuar, ndërsa për ata që nuk e bëjnë, do të duhet të paraqesin test COVID çdo javë për të treguar se nuk janë të infektuar nga virusi. Në këtë vit shkollor risia është se të gjithë fëmijët nga klasa e parë deri në të 9-ën kanë marrë librat falas në përdorim.

Një ditë më parë, ministrja e Arsimit Evis Kushi përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale ka uruar nxënësit për nisjen e vitit  të ri shkollor dhe i ka këshilluar të zbatojnë masat anti Covid.

Me videon e një shkolle të rindërtuar pas tërmetit, kryeministri Edi Rama i ka uruar suksese e mbarësi të gjithë nxënësve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë