Sociale

Studentët rikthehen në auditorë me kusht vaksinimin ose testin PCR. (Video)

Pas thuajse një viti mësim online për shkak të pandemisë, në të gjithë universitetet e vendit mijëra studentë i janë drejtuar auditorëve këtë të hënë.

Por jo të gjithë kanë ndjekur mësimin normalisht në ditën e parë, pasi një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë i detyron ata që të vaksinohen e më pas të mund të jenë të pranishëm në auditore.

Këtë mëngjes, çdo studenti i është kërkuar në hyrje të Universitetit të paraqesë certifikatën e vaksinimit, vërtetim që e ka kaluar Covidin ose test PCR negativ.

Por në disa universitete, si në Gjirokastër, Korçë, Elbasan dhe Durrës, rektoratet me vendimet e tyre kanë shkelur urdhrin e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Në këto universitete studentët janë futur në auditorë dhe thjesht janë këshilluar, por nuk janë kthyer mbrapsht nga drejtuesit.

Dhjetëra studentë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre në dyert e auditorëve dhe në disa universitete nuk kanë munguar incidentet.

Shumë studentë janë shprehur se kjo që po bëhet është një diskriminim dhe urdhri i ministres së Shëndetësisë është anti-Kushtetues.

Në Fakultetin e Filologjisë dhe Historisë në Tiranë, studentët janë përplasur me kontrollorët në hyrje të fakultetit të tye, pasi nuk janë lejuar të hyjnë në auditore.

Ato deklarojnë se nuk duan që të vaksinohen, pasi nuk kanë pse të jenë të detyruar, ndërkohë që shtojnë se testi PCR është i kushtueshëm për to.

Zëvendës Rektori i universitetit “Fan Noli” në Korçë, Artur Adili, është shprehur se edhe studentët e pavaksinuar do të lejohen në auditor.

Adili tha se asnjë student nuk do të lihet jashtë, por shtoi se të gjithë do të udhëzohen që të vaksinohen.

Teksa u pyet nëse vendimi i tyre ka shkelur urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, zëvendës Rektori tha se “ne nuk mund të privojmë studentët nga mësimi por do t’i udhëzojmë për t’u vaksinuar”.

Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” janë lejuar të hyjnë të gjithë studentët, edhe ata që nuk janë të vaksinuar apo nuk kanë test PCR. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Universitetin e Gjirokastrës, “Eqrem Çabej”.

Urdhri i ministrisë është shkelur edhe në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku studentët e pavaksinuar janë lejuar të hyjnë.

Ndërsa në atë të Vlorës, “Imail Qemali”, urdhri është i prerë: studentët e pavaksinuar nuk do të marrin pjesë në auditorë.

Në katër fakultete janë ngritur komisione vlerësimi me tre persona të cilët kryejnë vëzhgimin e studentëve nëse janë apo jo të vaksinuar.

Në të gjitha fakultetet janë vendosur grupe vaksinimi, që në pjesën dërrmuese kanë në dispozicion vaksinat AstraZeneca dhe Sinovac.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ka deklaruar një ditë më parë se mbi 50% e studentëve janë vaksinuar dhe se pikat e vaksinimit në fakultete do të vijojnë që të funksionojnë për të gjithë ata studentë që nuk janë  vaksinuar deri më tani. Sipas Hoxhës, studentët që vijnë për herë të parë në universitet, kanë edhe numrin më të madh të të vaksinuarve.

Nisja e universitetit ishte planifikuar që të bëhej javën e kaluar, por u shty për të pasur sa më shumë studentë të vaksinuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë