Shendet

Nis vaksinimi me Pfizer i fëmijëve 12-15 vjeç që vuajnë nga sëmundjet kronike

Për herë të parë sot në Shqipëri nisi vaksinimi i fëmijëve të grupmoshave 12-15 vjeç që vuajnë nga sëmundjet kronike. Shefja e Sëmundjeve Infektive në ISHP-së dhe anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Silva Bino, tha se i njëjti protokoll do të zbatohet edhe për grupmoshën 16-17 vjeç.

“Vaksinimi i fëmijëve 12 deri në 15 vjeç do të ndodhë për fëmijët që kanë sëmundje shoqëruese si psh, astma, sëmundje kronike të zemrës, kancer, etj. Këta janë fëmijët që do vaksinohen të parët. Po ashtu për grupmoshën 16 deri në 17 vjeç së pari do të vaksinohen ata të cilët kanë sëmundje bashkëshoqëruese. E vetmja vaksinë e aprovuar për fëmijët është Pfizer. Komiteti nuk e pa të arsyeshme vaksinën “Coronavac”. Natyrisht aplikimi i vaksinës do të kryehet sipas udhëzimeve. Do të merren dy doza dhe më pas edhe doza e tretë. Kjo vaksinë do të kryhet me miratimin e prindërve”, tha Bino.

Sipas saj, në formular është shtuar edhe vendi për firmën e prindërve, ndërsa theksoi se tek fëmijët vaksinimi anti-covid me vaksinat e tjera mund të kryhet njëkohësisht pa një afat kohor të caktuar. “Për vetë faktin se vaksinat anti-covid nuk janë vaksina me virus të gjallë. Janë të përgatitura ndryshe. Kemi shifra sesa fëmijë do të marrin vaksinën në radhë të parë. Nuk është një numër i madh, pasi të mbarojmë me këtë kategori të fëmijëve, do të vaksinojmë edhe fëmijët e shëndetshëm.

Sa i përket dozës së tretë do të ketë një kalendar vaksinimesh, pasi kjo është një sëmundje e re që ende po monitorohet. Për fruthin dhe tetanozin vaksinohemi disa herë pasi zbehet imuniteti. Për covidin kemi studime që tregojnë se pas 6 muajsh zbehet imuniteti kështu që duhet të bëhet edhe një dozë tjetër”, tha Bino.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë