Kosova

Përfundon pas tre orësh takimi Kurti-Vuçiç, u miratua Deklarata për të Zhdukurit

Ka përfunduar pas me shumë se tre orësh takimi me kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Lajmin e ka bërë të ditur nga zëdhënësi i BE, Peter Stano, i cili ka deklaruar se pas pak pritet që përfaqësuesi i BE për politikën e jashtme dhe sigurisë, Josep Borrell, do të japë nga deklaratën e tij në lidhje me detajet e këtij takimi.

Në takimin e sotëm është miratuar Deklarata për të Zhdukurit e luftës, dokument ku palët detyrohen të vënë në dispozicion dokumentet, qofshin ato edhe sekrete, në lidhje me fatin e të pagjeturve të kohës së luftës.

Pas miratimit, Borell ka thënë se dy palët janë zotuar gjithashtu të bien dakord për detajet operacionale në takimin e ardhshëm të dialogut që pritet të mbahet në nivel të kryenegociatorëve.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve. BE-ja pret që palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur dhe në përmbushjen e detyrimeve të tyre përkatëse ndaj familjeve”, u tha në deklaratën e Borellit.

Ai ka shtuar se Komiteti i Përbashkët i Monitorimit i kryesuar nga BE-ja që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksit të zbatimit të saj do të monitorojë rregullisht progresin e arritur edhe lidhur me këtë çështje.

Të pranishëm në takimin trepalësh ishin edhe shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për marrëveshjen Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kujtojmë se ky është një tjetër raund bisedimesh mes dy vendeve, pasi më herët janë zhvilluar të tjera takime mes Kurtit dhe Vuçiçit, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE-së.

Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe u pajtuan gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë