Euro 2020

Nis sot faza me eliminim direkt, Italia “prova” për finalen e “Wembley”-it

Euro 2020 hyn sot në një fazë me më shumë emocione, ku gabimi është i ndaluar, sepse të çon direkt në shtëpi. Luhen sot dy nga ndeshjet e fazës së 1/8-ve, Itali-Austri dhe Danimarkë-Uells, me “axurrët” favoritë në të parën dhe një garë më të balancuar në të dytën.

Italia e Mançinit vjen sot me shumë besim pas numrave fantastikë të regjistruar në ndeshjet në grup: 3 fitore dhe 0 gola të pësuar. Porta italiane nuk është prekur prej 1055 minutash në total dhe rekordi i Dino Xofit është shumë afër, 1143 minuta. Në mitikun “Wembley” Italia mund të bëjë sot edhe provat për finalen e kompeticionit, ku i ka të gjitha shanset të shkojë me paraqitjen e deritanishme.

Formacionet e mundshme Itali-Austri. Gazeta Si, 26 qershor 2021

Është një stadium, që meriton një Itali të madhe dhe këtë ka kërkuar edhe trajneri Mançini. Skema e tij mbetet e njëjtë, ndërkohë që në formacion ka pak ndryshime në krahasim me ndeshjet e grupit. Açerbi do të laujë në mbrojtje përkrah Bonuçit, kurse Verrati do të jetë në mesfushë bashkë me Zhorzhinjon dhe Barelën, jashtë mbetet Lokateli. Në sulm treshja e zakonshme Insinje-Imobile-Berardi.

Itali-Austri luhet në orën 21:00, ndërsa 3 orë më parë zbresin në fushë Danimarka dhe Uellsi. Kjo ndeshje luhet në Amsterdam dhe është e vështirë të bësh një parashikim. Danezët, pas kualifikimit në ndeshjen e fundit në grup, besojnë se mund të ecin më tej, ndërsa Kristian Eriksen i ka inkurajuar shokët e skuadrës nga larg. Danimarka mbështetet te përvoja e Kjaer, Hojberg dhe Poulsen. Në anën tjetër, Bejl, Alan dhe Ramsei pritet të udhëheqin Uellsin drejt çerekfinaleve.

Formacionet e mundshme Danimarke-Uells. Gazeta Si, 26 qershor 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë