Kampionati Europian që do të shoqërojë tifozët dhe entuziastët nga 14 qershori deri më 14 korrik do të jetë eventi futbollistik i verës së vitit 2024. Italia, kampionia në fuqi, pasi fitoi titullin në vitin 2021 në finalen e “Uembli”-t do të përpiqet të konfirmohet në Gjermani, vendi mikpritës i ngjarjes këtë vit.
Sigurisht, nuk janë ata favoritët, ndërsa Anglia, Franca, Spanja dhe organizatorët e Gjermanisë në letër janë në rreshtin e parë. Por Europiani është turneu që prodhon gjithnjë surpriza dhe këtë herë do të jemi edhe ne, për herë të dytë në histori pas 2016-s me shpresën për të bërë një figurë më të mirë. “Euro 2024” ngriti siparin me ndeshjen hapëse të organizatorëve gjermanë dhe Skocisë në “Allianz Arena” të Mynihut sot në orën 21:00.
Por para shkelmimit të topit të parë, u respektua tradita me ceremoninë e inaugurimit të turneut, e thjeshtë si gjithnjë sa herë që e bëjnë gjermanët, por me shumë klas dhe kuptim.
UEFA dhe autoritetet gjermane po përgatiten për mbi 50,000 tifozë të Shqipërisë që të marrin pjesë në ndeshjen e së shtunës në Euro 2024 kundër Italisë në Dortmund. Sipas medias sportive ESPN, tifozët shqiptarë përbëjnë kontingjentin më të madh udhëtues të çdo skuadre tjetër, përveç vendit pritës.
Edhe pse Signal Iduna Park, stadiumi vendas i Borussia Dortmundit, mban rregullisht mbi 81,000 tifozë për ndeshjet e klubit, vendi do të ketë një kapacitet të reduktuar prej 62,000 gjatë Euro 2024 dhe burimet e UEFA-s kanë thënë se një numër i madh biletash të seksionit neutral për ndeshjen hapëse të Grupit B janë blerë nga tifozët shqiptarë.
Shumë banorë shqiptarë në Gjermani kanë blerë biletat për ndërsa kampionia e Europës në fuqi, Italia pritet të mbështetet nga më pak se 10,000 tifozë.
Mbi 100 mijë tifozë skocezë priten në Gjermani gjatë turneut, ndërsa burimet kanë thënë se Anglia, Holanda dhe Polonia do të ndiqen në masë edhe nga tifozët turistë.
Dhe ndeshjet e Grupit F të Turqisë kundër Gjeorgjisë, Portugalisë dhe Çekisë do të mbizotërohen nga një numër i madh tifozësh turq për shkak se Gjermania është shtëpia e mbi 7 milionë emigrantëve turk.
Në ceremoninë e hapjes kishte edhe një homazh për nder të Franc Bekenbauerit, kampionit gjerman i cili u nda nga jeta më 7 janar. Haidi Bekenbauer, e veja e legjendës së kombëtares gjermane dhe Bajernit të Mynihut, solli trofeun e Kampionatit Europian në fushë në mungesë të bashkëshortit të saj. Dhe i gjithë ky moment prekës, u shoqërua me një video festive me momentet më të bukura të karrierës së “Kaizerit”.
Si çdo ceremoni inaugurimi, edhe sot pati nota muzikore që ngritën peshë të pranishmit në stadium. Ky shans i është akorduar këtë herë treshes italiane e “Meduza”, këngëtarit amerikan të grupit “One Republic” Rajan Teder dhe gjermanes Leoni. Është e tyrja kënga e titulluar “Zjarr”, e cila u bë kolona zanore zyrtare e “Euro 2024” dhe doli për herë të parë më 13 maj. Gjithçka ka nisur dhe përfunduar në harkun e më pak sesa 30 minutave.
Një muaj spektakël në fushë, për të udhëtuar më pas drejt Berlinit, ku gjithçka do të ulë siparin në finalen e 15 korrikut. Ceremonia përmbyllëse do të mbahet në “Olympiastadion” të kryeqytetit këtë herë dhe do të ketë sërish një performancë të “One Republic”, Leoni dhe “Meduza”, ata që krijuan himnin e turneut të 17-të europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.