Drejtësia

Shtyhet gjyqi/ Mediu e avokatët e tij përplasen me gjykatësen dhe ekspertët ekonomikë: Ku qëndron përgjegjësia ime! (debatet)

Gazeta Si- Mes debateve të forta dhe replikave në sallën e gjyqit, është shtyrë në datën 17 korrik (ora 09:00) seanca në GJKKO ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, nën hetim për çështjen "Gërdeci”.

“Është e gjitha situatë absurdi”, u shpreh ai për mediat, duke theksuar se procesi për “Gërdecin” po shndërrohet në një “rrugë pa krye”.

Seanca ndaj Fatmir Mediut në Gjykatën e Posaçme u shoqërua me debate të forta mes avokatëve të ish-ministrit dhe prokurorëve e  gjykatëses Irena Gjoka.

Në vijimësi, gjykata refuzoi pyetjet e avokatëve drejt ekspertëve ekonomiko-financiarë, ç’ka ngjalli tension dhe replika.

Kjo për faktin se avokatët kërkuan arsyetim për refuzimin e pyetjeve . Tensioni kulmoi me urdhrin për nxjerrjen nga salla të avokatit të Mediut, Ardian Visha.

"E kryet misionin avokat", tha kryesuesja Irena Gjoka, teksa Visha po linte sallën, ndërsa avokati iu përgjigj me "Vazhdoni me telekomandimin".

Për shkak të dinamikës së seancës, aktit voluminoz ekonomiko financiar dhe faktit se është përpiluar vite më parë gjykata vendosi që palët duhet t'i paraqesin me shkrim pyetjet ndaj ekspertëve.

Brenda ditës së nesërme palët duhet të depozitojnë pyetjet në gjykatë, që do ju përcillen ekspertëve. Seanca tjetër më 17 korrik, ora 09:00.

Edhe në sallën e gjyqit më herët pati debate si pasojë e pyetjeve të shumta që avokati i Mediut, Ardian Visha u drejtoi 5 ekspertëve që përcaktuan dëmin ekonomik të shpërthimit në vitin 2008. 

Ekspertët kërkuan kohë që të njihen me materialin voluminoz, të cilin e kanë përpiluar vetë 16 vite më parë.

Sa i takon përplasjeve me Irena Gjokën në sallën e gjyqit, Ardian Visha u përgjigj: “Dini ndonjë rast që ka ndërhyrë prokurori dhe Prokuroria t’i ketë tërhequr vërejtje? Ne nuk na lejojnë të bëjmë pyetje”.

Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Akt-ekspertimi në atë kohë tregon se shtetit iu shkaktua një dëm prej 59 mln Lekësh, pasi nuk ishte përllogaritur transporti i municioneve.

Ekspertët që ishin në listë për të dëshmuar, janë Bexhet Zeqiri që është financier kontabël, aktualisht auditues pranë KLSH, Ymer Stafa-ekonomist, Rasim Metallari- financier, punonjes në Universitetin e Mjekësisë, auditues i brendshëm, Latif Çela- financier i lartë, auditues më Ministrinë  e Financave, si edhe Mond  Hoxha, punonjës në sektor privat.

Por pavarësisht se u pyetën për detaje që i kanë shkruar vetë në akt-ekspertim, ekspertët janë gjendur në vështirësi për të dhënë përgjigjie konkrete.

Debatet dhe replikat mes Mediut, avokatëve të tij dhe GJKKO

Fatmir Mediu: A mund të na thoni,  në këtë akt ekspertimi ekomoniko-financar, cilat janë përgjegjësitë e ministrit? Kush është dëmi ekonomik nga urdhrat e ministrit? Çfarë ka bërë ministri që ka sjellë dëm ekonomik, me urdhrat, aktet, shënimet? Ku është përgjegjësia e ministrit në këtë akt-ekspertimi? Çfarë dëmi financiar i ka shkaktuar buxhetit të shtetit?

Klodian Braho: Ne do kërkojmë që pyetjet të ishin konkretisht pyetje-përgjigje që janë në aktin e ekspertimit. Pyetja duhet të jetë më specifike, në faqen kaq, pyes për këtë.

Fatmir Mediu: Ne këtu nuk bëjmë pyetjen e prokurorit. Ju duhet të na kishit thënë kush janë përgjegjësitë e ministrit. Ju nuk e keni bërë në asnjë nga aktet e deritanishme. Unë duhet të di ku është përcaktuar përgjegjësia ime.

Ekspertët: Nuk mund të flasim, na ndihmoni. Në një seancë tjetër na janë bërë 200 pyetje dhe ne kemi operuar në të njëjtën mënyrë. Ne nuk po vëmë kusht për pyetjen, por duhet të na jepet mundësia, që në një material 100 faqe të gjejmë sqarimin. E kemi të veshtirë, materiali është shumë voluminoz.

Fatmir Mediu: Prokuroria ju ka kërkuar nëse aktet de facto të vëna në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes janë të rregullta, të plota… Kjo pyetje është brenda sferës suaj të ekspertizës? Është pyetja e parë, faqja e parë. Kush konsiderohet ‘de facto’ dhe kush konsiderohet ‘de jure’?

Ekspertët: Nuk mund të përgjigjemi kështu. Përgjigja është shkruar në faqen 1 deri në faqen 2.

Henrik Ligori: Nuk mund të na lexoni përgjigjen. Pyetja është konkrete. Me këtë akt-ekspertim janë dënuar 20 vetë, ata duhet të dijnë përmendësh këtë akt. Ky është idiotizim i mbrojtjes.

Ndërkohë, avokati tjetër i ish-ministrit Fatmir Mediu, Ardian Visha ka rreshtuar pyetjet ndaj 5 ekspertëve që kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shpërthimit në 2008-ën.

Ekspertët janë shprehur se akt-ekspertimin në atë kohë e kanë shkruar e firmosur të gjithë bashkë. Njëri prej tyre ka kërkuar kohë që t’i lexojnë pyetjet me shkrim, pasi bëhet fjalë për materiale të para 17 viteve.

Ardian Visha: Ju të gjithë bashkë keni bërë interpretim në akt, që shënimet e ministrit janë urdhra. Mbi ç’bazë e keni bërë?

Eksperti Bexhed Zeqiri: Ne e kemi të vështirë të biem dakord për çdo përgjigje. Ndaj kërkoj t’i marrim pyetjet me shkrim dhe të përgjigjemi. S’mund të biem dakord 5 veta për 2-3 sekonda. Na vini në vështirësi edhe ne. Tani nuk mundemi, për një material që është 500 faqe. E kemi lexuar materialin disa herë, por nuk mundemi të përgjigjemi tani.

Ardian Visha: Sugjerimi im është që ekspertët të përcaktojnë metodologjinë e punës së tyre, si e kanë kryer aktin. Është e pamundur të adresojmë pyetje konkrete. Kush ka shkruar kë? Si e kanë ndarë punën? Kështu siç thotë eksperti që puna është bashkë, është e vështirë të bëjmë pyetje.

Klodian Braho: (prokurori) Ne mendojmë që të vazhdojmë me pyetjet e ekspertëve. Nëse ata nuk janë në gjendje të përgjigjen sot, të marrin kohën e duhur.

Ardian Visha: Kjo nuk është mënyrë pune. Kush prej jush ka cilësi vërtetë shkencore me titull akademik?

Ekspertët: Asnjë prej nesh.

Ardian Visha: Vlerësoni komplimentin e madh që ju bëri gjyqtarja që tha jeni shkencëtarë. Ata janë caktuar sepse janë urdhëruar si të tillë, në kohën e veprimit. Ne pretendojmë tejkalim të kompetencave të tyre për nxjerrjen e konkluzioneve.

Më herët, avokati i Mediut ka kërkuar sqarime nga eksperti i caktuar nga Prokuroria në 2008-ën sa i takon aktit. Ky i fundit është përgjigjur se “nuk është i licensuar. Pyetjet ndaj ekspertit janë pasuar me një debat mes avokatit Visha dhe gjyqtares Irena Gjoka.

Ardian Visha: Jeni ekspert i licensuar?

Eksperti: Jo.

Irena Gjoka: I tërhiqet vëmendje Ardian Vishës, ka shkelur kodin e etikës.

Ardian Visha: Po prokurori?

Irena Gjoka: Ulu, dhe njëherë fole do dalësh jashtë.

Ardian Visha: Me gjithë dashurinë e madhe për ju dhe respektin, nuk ju lejoj. Të mos lejohet eksperti të japë përgjigjien, ju nuk ju lejohet. Nuk kam dëshirë të punoj kështu. (I drejtohet ekspertit) Mos lejoni të ndërhyjë prokuroria, nuk kemi ndërhyrë kurrë ne. Kush ju ka thënë që do jeni ekspert në këtë çështje?

Gjoka: Nuk pranohet pyetja.

Ardian Visha: Ku punonit ju në kohën kur u caktuat ekspert?

Eksperti: Në Ministrinë e Financave.

Ardian Visha: Sa kohë keni punuar për të bërë aktin?

Eksperti: Nuk e mbaj mend, disa muaj.

Ardian Visha: Sa herë jeni mbledhur gjatë kësaj periudhe?

Irena Gjoka: Nuk pranohet pyetja.

Eksperti: Nuk mbaj mend, kanë kaluar 17 vjet.

Ardian Visha: Ka mundësi të mos ndërhyrë asnjë njeri? Kush e ka shkruar aktin?

Eksperti: Të gjithë bashkë.

Visha: Si e ndatë punën?

Eksperti: Të pestë bashkë.

Ardian Visha: Për pjesën ushtarake çfarë keni shkruar ju?

Eksperti: Unë nuk merrem me pjesën ushtarake.

Ardian Visha: Mbi materialet që ju ka vënë në dispozion prokuroria, çfarë volumi kishte materiali?

Irena Gjoka: Nuk pranohet pyetja. Bëj kujdes me pyetjet që bën!

Ardian Visha: A mund t’i bëni ju pyetjet? Ne të rrijmë kot. Ku i lexonit materialet, në çfarë ambienti, në çfarë selie?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë