Bota

Nis samiti i OSBE në Shkup, Blinken shmang përballjen me Lavrov

Nga Gazeta ‘Si’- Samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ka nisur punimet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

Në vizitën e tij të parë në një shtet anëtar të NATO që prej nisjes së luftës në Ukrainë, Lavrov mbërriti në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut në orët e para të së enjtes. Pjesëmarrja e tij u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e BE-së, që ndalonin fluturimet nga Rusia. Kjo ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër luftës së paprovokuar të Ukrainës.

Kryediplomati rus, Sergei Lavrov, pas arritjes në Maqedoni të Veriut.

Kievi dhe shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, në shenjë pakënaqësie e kanë bojkotuar samitin.

Më herët në Shkup mbërriti sekretari i shtetit Anthony Blinken, që mori pjesë në një darkë joformale, dhe fotografi familjare mbrëmjen e së mërkurës. Kryediplomati amerikan u largua pas darkës, duke shmangur kështu një përballje me homologun rus, Lavrov.

“Ju keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, keni arritur të zgjeroni misionin e OSBE-së, pavarësisht pengesave të mëdha. Më vjen mirë që Malta do të marrë stafetën. Ne kemi një partneritet strategjik që është vërtet i fokusuar në punën që bëjmë së bashku si aleatë dhe partnerë, por edhe në punën që bëjmë bashkërisht në nivel dypalësh”, tha Blinken pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani.

Në prag të samitit, shefi i diplomacise se BE, Josep Borrell tha se anëtaret e OSBE ishin të bashkuar kundër agresionit rus. 

Gjatë punimeve të samitit, përveç vendimit për kryesuesin e radhës me OSBE-në, pjesëmarrësit duhet të miratojnë edhe vendimet tjera, si buxhetin dhe të caktojnë drejtuesit në pozitat kyçe të organizatës.

Në ditën e parë të Këshillit, të enjten, është parashikuar nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit. Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.

Takimi dyditor i Këshillit Ministror të OSBE-së është ngjarja më e madhe diplomatike që është zhvilluar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet maqedonase kanë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë duke kufizuar qarkullimin në pjesët kryesore të Shkupit, ndërsa është shpallur edhe ditë pushimi në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë