Sociale

Nis puna për Unazën Veriore, Balluku: Shpronësim sipas ligjit për çdo banesë

Këtë të mërkurë kanë nisur punimet për ndërtimin e pjesë veriore të Unazës së Madhe të Tiranës. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë inspektimit u shpreh se pjesa  e shpronësimeve do jetë në vëmendje të projektit. Sipas ministres do të merren të gjitha masat për akomodimin edhe të familjeve që kanë banesat e palegalizuara.

Duke folur për afatet e dorëzimit të veprës që parashikohen deri në 11 muaj, Balluku shtoi se shpreson që t’i përmbahen, duke vënë theksin te procedura dy palëshe mes shtetit dhe pronarët e objekteve që do shpronësohen.

“Preken 60 objekte që janë miks. Disa janë të legalizuara dhe disa janë të palegalizuara. Do të ketë një akomodim të pronarëve të banesave. Koha e dorëzimit të veprës është 11 muaj. Është një afat shumë ambicioz që shpresoj që ta mbajnë, duke pasur parasysh edhe afatin e shpronësimeve. E them dhe e përsëris që procedura që shteti bën është një procedurë dypalëshe. E bëjmë me pronarin e truallit që do shpronësohet, por shteti shpronëson në bazë të ligjeve të shpronësimeve”, - tha ajo.

Sipas Ballukut, nëse projekti dorëzohet brenda një viti, kryeqyteti do të marrë frymë lirisht sa i takon trafikut. Në Lotin e Dytë të Unazës Veriore, deri më tani janë mbyllur 40% e volumit të punës që lidhet me Rrugën e Arbrit dhe do shpërndajë fluksin e trafikut të kryeqytetit. Unaza Veriore ka një gjatësi prej  2.17 km dhe është konceptuar me 4 korsi, përfshirë edhe të emergjencave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë