Teater

Nis Teatri i ri Kombëtar/ Rama: I kisha shpallur luftë asaj godine (Artistë në ceremoni dhe protesta në heshtje tej gardhit policor)

Në praninë e aktorëve Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Luftar Paja, Kastriot Çaushi dhe Luiza Xhuvani, nisi ceremonia e punimeve të Teatrit të ri Kombëtar që ngjalli jo pak polemika e protesta dhe i ndau në dy kampe aktorët shqiptarë.

Vendimi solli reagim nga Aleanca për mbrojtjen e Teatrit, të cilët kundërshtuan shembjen dhe procedurat për ndërtimin e godinës së re.

Për të shmangur përplasjet e ceremonisë së sotme, i gjithë perimetri u rrethua me punonjës policie. Gjithashtu u bllokua pedonalja për të penguar kalimin e këmbësorëve, ndërsa Aleanca për teatrin protestoi në heshtje.

Gjatë fjalës së tij në ceremoni, Kryeministri Edi Rama, u shpreh se “ky projekt shkon përtej një teatri të mirë për Shqipërinë”.

“Ky është një tjetër gur i çmuar që praktikisht e kanë nxjerrë Tiranën jashtë vetes, jashtë kornizës së vjetër të vetes dhe e kanë projektuar si një kryeqytet evropian ku ndodhin gjëra dhe ku bëhen gjëra që tërheqin vëmendjen e të tjerëve.

Mund të bëhet një paralele me stadiumin. Stadiumin që e kishim dhe që praktikisht as për stadium nuk përdorej dot më, pasi u ndalua nga UEFA e FIFA organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare. Ndërkohë, vijonte rezistenca absurde për të mos e prekur stadiumin, kur ishte e qartë që ai stadium ishte i vlefshëm vetëm në një pjesë të tij. Ne e ndërtuam stadiumin dhe unë jam i bindur që askujt nuk i shkonte në mendje se mund të vinte dita që në Shqipëri të luhej një finale evropiane (Conference League)”, shtoi Rama.

Sipas tij, e njëjta gjë do të ndodhë me teatrin: “Nuk do të jetë vetëm destinacion për dashamirësit e teatrit, por një vend ku do të organizohen edhe aktivitete ndërkombëtare”.

 Duke kujtuar se që prej periudhës kur ishte ministër kulture i kishte shpallur luftë asaj godine të vjetër, Rama tha se edhe pse shumë vonë, me këtë projekt Tirana ka kapërcyer pritshmëritë.

Rama tha se kundërshtimi i opozitës është pjesë e strategjisë së saj, pasi sipas tij, opozita ka kundërshtuar gjithmonë projektet e reja në Shqipëri.

Për sa i përket kundërshtimit të projektit nga artistët, Rama tha se komuniteti i aktorëve ndoshta ka qenë pajtuar me realitetin për pamundësinë për të ndryshuar kushtet e vështira të infrastrukturës së teatrit të vjetër dhe se për shkak të kohëve dhe premtimeve të pa mbajtura u pajtuan me një realitet që i përkonte asaj kohe.

Ndërsa Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha tha se ka qenë dëshmitar i përpjekjeve të vazhdueshme të trupës së Teatrit Kombëtar, të cilët, siç theksoi ai, tek ajo godinë nuk gjenin mjetet për të bërë artin e tyre.

Po ashtu, të pranishëm ishin dhe artistë të tjerë si Dritan Boriçi, Gaz Paja, Lulzim Zeqja, Arben Derhemi dhe Indrit Çobani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë