Qytetarë serbë nga veriu, kanë nisur protestën në fshatin Rudarë kundër deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti dhe ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në lidhje me barrikadat e vendosura në atë pjesë të vendit.
Në këtë vend, i cili në mesin e komunitetin lokal serb njihet edhe si “Te kryqi”, ndodhet një prej barrikadave të ngritura në veri të Kosovës që më 10 dhjetor.
Në protestë janë mbledhur edhe pjesëtarë të komunitetit serb nga zona të tjera të Kosovës. Bëhet fjalë kryesisht për persona të punësuar në institucionet serbe që funksionojnë në Kosovë.
Përveç flamujve serbë dhe pankartave me mbishkrime të ndryshme, bie në sy njëra parulla me dimensone të mëdha në të cilën shkruhet “Kurti, Kosova nuk është e gjyshit tënd, është e gjyshërve tanë”.

Protesta, që u cilësua si “më e madhja ndonjëherë”, u organizua pas thirrjes së të ashtuquajturit Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në thirrjen për protestë u tha se ata duan të dërgojnë mesazh se nuk janë dakord me “persekutime dhe vrasje”.
Paraprakisht, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, tha përmes një video-mesazhi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, planifikon të “vrasë serbë” në barrikada.

Ajo që Kurti i tha, në fakt, gazetës britanike Guardian, është se ai “shpreh shqetësim se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima potenciale”.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, i ftoi qytetarët që “të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar” gjatë protestës.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se u ofron “mbështetje të plotë” serbëve në Kosovë.
“Dhe, nuk do të fshihem nga të mëdhenjtë dhe të fuqishmit në botë. Do të jem gjithmonë i përgjegjshëm për t’iu bërë thirrje që të ruajnë paqen, sepse paqja është në interesin më të mirë të serbëve dhe të Serbisë, si dhe të popullit tonë në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha ai në një video-adresim të publikuar në llogarinë e tij në Instagram.
Sipas paralajmërimeve të mëhershme, të mbledhurit në protestë pritet t’i kundërshtojnë edhe “ultimatumet dhe afatet” për heqjen e barrikadave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




