Politike

Më pak se dy orë protestë para Kryeministrisë! Berisha: Jemi e vetmja forcë politike që do të rrëzojë dy diktatura (foto, video)

Nga Gazeta ‘Si’-Edhe pse ishte marrë leje për tre orë, zgjati më pak se dy të tilla protesta e thirrur nga Partia Demokratike përballë Kryeministrisë.

Mes ovacioneve dhe thirrjeve “Rama ik”, i fundit që mori fjalën pas aleatëve në protestë ishte kryedemokrati Sali Berisha.

Berisha u kthye pas në kohë një vit më parë, kur ai iu drejtua protestuesve nga shtëpia e tij përmes një video-mesazhi nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” si për të treguar se PD sot është më e fuqishme pasi kreu i saj ka fituar lirinë.

“E nis fjalën time me një përulje para jush me një falënderim vëllazëror dhe me përgëzimet e mia për të gjithë ju, për të gjithë demokratët. Në pak kohë ne kemi bërë shumë. Le të kthehemi pak. Vetëm një vit më parë në shkurtin e kaluar ne ishim këtu në shesh në protestën e 20 shkurtit. Lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën. Unë fjalën time e mbajta nga një ekran, i burgosur politik. Në atë protestë në hodhëm themelet e cdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi. Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si feniksi.

Ndërsa ata që menduan se do të na mposhtin ne dështuam me turp, ne jemi të pamposhtur. Ne u bashkuam, ne mbrojmë akuza të drejta, mbrojmë vlerat e njeriut, mbrojmë interesin kombëtar, kombin, familjen. Sot jemi në këmbë më të vendosur se kurrë”, tha Berisha.

Lideri i opozitës nënvizoi se kjo e sotmja është Partia Demokratike, e cila e bashkuar, do të rrëzojë sipas tij për të dytën herë një diktaturë në Shqipëri.

“Vijmë sot këtu si opozitë e të pamundurës, e bërë të mundur. Si PD që të pamundurat i bën të mundura. Sot kemi vulë dhe flamur dhe jemi më të bashkuar se kurrë. Sot jemi forca politike më e përkrahur.  Sot jemi në këmbë, më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën. Historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës. Diktaturën staliniste dhe narkodiktaturën e bastardit të bllokut komunist, Edi Ramës.”

Gjatë fjalës së tij, Berisha prezantoi edhe një pjesë të programit të Partisë Demokratike. Ai tha se pas 11 majit, çdo pensionist do marrë të paktën 200 euro dhe se rroga mesatare do jetë 1,200 euro.

“Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera”, theksoi Berisha.

“Ky nuk është një miting elektoral, por përsëri ne duhet të ndjehemi krenarë me programin tonë. Me programin tonë kemi faktuar vjedhjet e tmerrshme që u ka bërë shqiptarëve. Ne u premtojmë të gjithë punëtorëve me rrogë të ulët, se në Shqipëri pas 11 majit, brenda 3 muajsh, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Brenda vitit, rroga mesatare do jetë 1,200 euro”, u shpreh Berisha.

Berisha dha edhe një mesazh për zgjedhjet e 11 majit. Ai tha se duhet ta bëjnë natën ditë me qëllim që në zgjedhjet e 11 majit të korrin një fitore të thellë.

“Mesazhi i fundit që unë kam për ju, tre muaj na ndajnë nga zgjedhjet. Fitorja varet nga ne. Fitorja në rast se ne e bëjmë natën ditë, në rast se ne përkushtohemi, në rast se nuk harrojmë që jemi partia që të pamundurat i bëjmë të mundura, ne do korrim një nga fitoret më të thella.

Mos harroni, se fitoret e arritura deri tani ne i arritëm në kushtet më të vështira. Kurse tani që Presidenti Trump i ka prerë kokën gjarprit George Soros, e kuptoni ju apo jo? Flladi nga Uashingtoni po fryn në të gjithë botën. Ju garantoj ju se nuk fiton më shumë nga kjo sesa shqiptarët.

11 maji  do jetë fitorja më e thellë e opozitës shqiptarë”, tha Berisha i cili sonte do të niset drejt aeroportit ku nesër pritet të ketë një takim me emigrantët në Romë.

Kreu i demokratëve u shoqërua nga deputetë të tjerë demokratë si dhe nga sekretari Flamur Noka dhe nënkryetari Agron Gjekmarkaj.

Ndërkohë munguan kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi. Bardhi ndodhet së bashku me një përfaqësi tjetër politike dhe parlamentare në SHBA. Bashkë me të ndodhet edhe Bledion Nallbati dhe Jorida Tabaku.

Protesta erdhi teksa vendi ndodhet rreth 100 ditë larg zgjedhjeve të 11 majit. Sot organizatorët ndryshuan agjendën e protestës, ndryshe nga tubimet e kaluara të cilat janë zhvilluar me bllokime rrugësh dhe mosbindje civile.

Ndërkohë, 1300 forca policore ishin në gatishmëri. 865 ishin policë të Tiranës, kurse të tjerët janë nga rrethet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë