Politike

Tensione mes protestuesve dhe policisë, molotov dhe zjarr gomave para parlamentit (foto, video)

Nga Gazeta Si- Protesta e opozitës është mbyllur pas dy orësh fjalime, përplasje mes protestuesve dhe policisë, hedhje molotovi dhe djegie gomash.

Ndërkohë që në parlament po mbahej seanca plenare, jashtë u mbledhën protestuesit e opozitës, të cilët vendosën goma para parlamentit dhe i dogjën herë pas here. Nuk kanë munguar as hedhjet e molotovit. Protestuesit janë përplasur disa herë me policinë pasi kanë tentuar të çajnë kordonin policor dhe nuk janë lejuar.

Edhe pse për disa minuta janë qetësuar, tensionet kanë vijuar pasi deputeti Klevis Balliu ka kërkuar të kalojë kordonin dhe nuk është lejuar. Këtu kanë ndërhyrë protestuesit duke shtyrë.

Pas debateve me Lindita Nikollën dhe vendimit të tij për përjashtimi nga seancat, deputeti i PD-së, Flamur Noka ka lënë Kuvendin dhe i është bashkuar protestës së opozitës.

“Në ato karrige të Kuvendit, Rama ka ulur narkoshtetin, kartelin e Sinaloas. Këta kriminelë Edi Rama i bëri investitorë strategjikë. U deshën tre mediat që t’i nxjerrin regjimit të narkos së Tiranës. Numri dy për 10 vite të këtij regjimi e thotë me zë dhe figurë se Rama është shefi i narko-shtetit”, tha ai.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së Rithemelimit Belind Këlliçi, në fjalën e tij në protestën e opozitës deklaroi se kryeministri Edi Rama ka 11 vite që largon shqiptarët nga vendi.

Këlliçi theksoi se qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre. Ai tha se duhet të largohet qeveria, të cilën e konsideroi të korruptuar, me qëllim që në vend të vendoset drejtësia.

Kujtojmë që në protestën e fundit para Bashkisë së Tiranës, protestuesit e PD-së kanë pasur të njëjtin skenar, ku kanë djegur goma para institucionit.

Në protestën para Bashkisë u protestua për aferën e dosjes 5D, ndërsa sot për investigimin e RAI3.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë