Një projekt i paprecedent shkencor për krijimin e ADN-së njerëzore nga e para ka nisur në Mbretërinë e Bashkuar, duke hapur një kapitull të ri në biologjinë sintetike dhe mjekësinë gjenetike.
I financuar fillimisht me 10 milionë paund nga organizata mjekësore Ëellcome Trust, projekti synon të ndërtojë seksione të tëra të ADN-së sintetike me qëllimin përfundimtar: krijimin e një kromozomi të plotë njerëzor.
Dr. Julian Sale nga Laboratori i Biologjisë Molekulare në Kembrixh e quajti këtë “hapin gjigant të radhës” në biologji.
“Po ndërtojmë qeliza rezistente ndaj sëmundjeve, që mund të përdoren për të rigjeneruar organe të dëmtuara si zemra apo mëlçia,” tha ai për BBC.
Megjithatë, projekti ka ngjallur shqetësime etike dhe morale të thella. Kritikët paralajmërojnë për rreziqet e krijimit të “njerëzve të përmirësuar” ose të armëve biologjike.
Dr. Pat Thomas theksoi se “shkenca mund të ripërdoret për qëllime të këqija, përfshirë edhe për luftë”.
Shkencëtarët sigurojnë se projekti do të kufizohet vetëm në laboratorë dhe nuk do të përdoret për të krijuar jetë artificiale. Por sipas Prof. Bill Earnshaë nga Universiteti i Edinburgut, “xhindi ka dalë nga shishja” dhe kontrolli i kësaj teknologjie mund të jetë i vështirë në të ardhmen.
Për të adresuar shqetësimet e publikut, një ekip i veçantë i shkencave sociale do të ndjekë projektin paralelisht, duke përfshirë mendimet e qytetarëve për ndikimin dhe etikën e kësaj teknologjie.
“Pyetja nuk është nëse kjo teknologji do të zhvillohet, por si dhe kur. Ne kemi zgjedhur ta udhëheqim zhvillimin në mënyrë të përgjegjshme,” tha Dr. Tom Collins nga Ëellcome.
Ky projekt shënon një tjetër përvjetor historik, 25 vjet nga përfundimi i Projektit të Gjenomit Njerëzor dhe sinjalizon fillimin e një epoke të re, ku njeriu mund të mos jetë më vetëm lexues i ADN-së, por edhe krijues i saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.