Politike

Nis procedura për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese

Gazeta Si – Ka nisur zyrtarisht procedura për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, që u krijua si pasojë e dorëheqjes së Elsa Toskës në shtator 2024.

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi me tetë vota pro shpalljen e vakancës për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i takon Kuvendit ta zgjedhë. Ky anëtar do të ketë mandat të plotë 9-vjeçar në ushtrimin e detyrës.

Kreu i komisionit, Ulsi Manja, deklaroi se që nga momenti i publikimit në faqen e Kuvendit kandidatët që aplikojnë kushtet dhe kriteret kanë afat 20 ditë për të aplikuar për këtë vend vakant.

Ky zhvillim ndodh pas ngërçit të krijuar një vit më parë, kur procesi për zëvendësimin e Toskës u pezullua për shkak të padive të depozituara në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo çështje solli debate të forta, pasi Kuvendi synonte të zgjidhte një gjyqtar me mandat të plotë, ndërsa më pas Kushtetuesja vendosi se edhe Toska, njësoj si Holta Zaçaj dhe Sonila Bejtja, duhej të konsiderohej me mandat të pjesshëm, për të ruajtur ritmin kushtetues të rinovimit periodik të trupës (tre anëtarë çdo tre vjet).

Me rishpalljen e garës, pasi kandidatët të paraqesin  aplikimet, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të kryejë vlerësimin dhe renditjen e tyre sipas pikëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë