Politike

Nis përzgjedhja e këshilltarëve, Meta: PS, në panik për humbjen që e pret

Gazeta Si – Partia e Lirisë nis procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë për zgjedhjet lokale të 14 majit. Në mbledhjen e kryesisë së PL-së, Meta deklaroi se partia në pushtet është në panik për humbjen që e pret në zgjedhjet lokale.

“Ata janë në panikun e humbjes që i pret dhe çdo provokim ndaj opozitës i bën edhe më të pashpresë. Edhe vetë socialistët e kanë kuptuar që me Edi Ramën edhe vatrat e socialistëve zbrazen çdo ditë. Vetëm një pakicë e pashpirt që nuk njeh kushtetutë dhe nuk njeh ligj ka përfituar në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve”, – u shpreh Meta në mbledhjen e kryesisë.

Kreu i PL-se Ilir Meta. Gazeta Si, 17 shkurt 2023

Janë gati, sipas tij, 1650 kandidatë të Partisë së Lirisë për këshilltarë në të gjithë bashkitë e vendit, të cilët do të garojnë për zgjedhjet e 14 majit.

“Dhe unë besoj që të gjithë ne do të jemi të përgjegjshëm për të zgjedhur ata njerëz të devotshëm të përkushtuar ndaj komunitetit, të cilët do t’i kthejnë në vepra konkrete të gjitha kauzat e Partisë së Lirisë, në interes të komunitetit në Këshillat Bashkiakë. Do të mbrojnë të drejtat e qytetarëve që janë nëpërkëmbur në mënyrën më mizore, siç i kemi parë qytetarët sesi i nxjerrin me dhunë, me gaz nga shtëpitë e tyre. Për të bërë oligarkët dhe klientët e qeverisë dhe bashkisë kulla”, – theksoi më tej Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë