Bota

Nis operacioni pas urdhrit të Trumpit, qindra emigrantë të paligjshëm arrestohen dhe dëbohen nga SHBA

Gazeta Si – Shtëpia e Bardhë tha se autoritetet amerikane arrestuan 538 emigrantë të paligjshëm dhe dëbuan qindra prej tyre me fluturime ushtarake.

Operacioni masiv u krye disa ditë pas fillimit të presidencës së Donald Trump, njoftoi zëdhënësja Karoline Leavitt.

Në vetëm 48 orë, qindra njerëz përfunduan në pranga. Bastisja kishte në shënjestër të huajt e paligjshëm me lista të gjata me rekorde kriminale në të gjithë vendin, pas nënshkrimit nga Trump të dekreteve zbatuese që nisën fushatën e gjerë të dëbimit të premtuar nga shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas transmetuesit “Fox News”, Agjencia Federale e Kufirit dhe Emigracionit të Shteteve të Bashkuara, ka kryer disa arrestime të profilit të lartë, veçanërisht në qytetin e Bostonit, kryeqendra e shtetit të Masaçusetsit.

“Siç u premtua, Presidenti Trump po i dërgon një mesazh të fortë botës: ata që hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara do të përballen me pasoja të rënda”.

Kështu shkruan Shtëpia e Bardhë, duke postuar një imazh me disa emigrantë në radhë për një të prangosur dhe lidhur me zinxhirë, duke u bërë gati të hipin në një avion ushtarak, me shkrimin e mbivendosur: “Fluturimet e dëbimit kanë filluar. Premtim i bërë, premtim i mbajtur”.

Ditët e fundit, administrata demokratike e qytetit Atlantik dhe ajo e shtetit të Masaçusets kishin përsëritur synimin e tyre për të mos bashkëpunuar me arrestimin dhe dëbimin e emigrantëve të paligjshëm të ndërmarra nga administrata Trump.

Kongresi amerikan i ka përkthyer urdhrat e presidentit në ligjin e parë të mandatit të tij të dytë, një goditje ndaj imigracionit që shkon paralelisht me vendosjen e forcave të mëdha në kufirin me Meksikën.

Miratimi i Aktit “Laken Riley”, i quajtur kështu pasi një studenti 22-vjeçar nga Xhorxhia u vra vitin e kaluar nga një venezuelian pa dokumente, i kërkuar për vjedhje, tregon se sa shpejt është përshpejtuar debati politik mbi imigracionin në Shtetet e Bashkuara në drejtimin e treguar nga Trump.

Rreth 46 demokratë iu bashkuan republikanëve për të miratuar ligjin, me 263 vota pro dhe 156 kundër. Masa e re parashikon ndalimin, deri në dëbim, të një grupi të madh të huajsh pa dokumente, përfshirë azilkërkues, të cilët kanë kryer krime të lehta si vjedhje apo vjedhje dyqanesh.

Ky veprim do të çojë gjithashtu në një rritje masive në zbatimin e emigracionit dhe doganave në SHBA, por masa nuk përfshin aktualisht ndonjë financim të ri.

Ndërkohë, presidenti i ri ka nisur një sërë urdhrash ekzekutivë që synojnë mbylljen e kufirit me Meksikën dhe dëbimin e miliona emigrantëve pa status të përhershëm ligjor, duke gjetur dënimin nga peshkopët amerikanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë