Treg

Nis nga Vlora rritja e çmimit të ujit, 33% më shtrenjtë për familjarët, 20% për bizneset

Nga Gazeta ‘SI’ – Konsumatorët shqiptarë do të paguajnë ujin 33% më shtrenjtë, duke nisur nga qyteti Vlorës.

Në Fletoren Zyrtare është publikuar rritja e tarifës në këtë qytet nga 45 lekë/m3 në 60 lekë/m3. Bizneset dhe subjektet publike do ta paguajnë 120 lekë/m3 nga 100 lekë/m3. Çmimet e reja janë propozuar nga Ujësjellësit Vlorë dhe miratuar nga Enti Rregullator i Ujit.  

Në propozimin e UK Vlorë, rritja e tarifës së ujit justifikohet me qëllimin e përmirësimit të financave të tyre, investimeve dhe për shërbim më cilësor.

Ujësjellësi i Vlorës përfshin Selenicën dhe Himarën.

Aplikimet e radhës që priten të miratohen nga ERRU janë ato ujësjellësit të Durrësit, Lezhës dhe Fierit që po ashtu kanë kërkuar rritje të çmimit. Pak muaj më parë ERRU rrëzoi kërkesën e UK Shkodër, Elbasan dhe Berat.

Në fund të dhjetorit 2023, Konkurrenca pas shqyrtimit të kërkesës së UK Vlorë për rritje çmimi, i kërkoi ERRU-së “që tarifat e ndryshuara, që do të miratohen nga ERRU për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Vlorë SHA, të jenë të orientuara drejt kostos së shërbimeve dhe të jenë të bazuara në parimin e mosdiskriminimit.”

Ujësjellës Kanalizimet kanë qenë prej kohësh dhimbje koke për qeverinë, për shkak të borxheve të shumta, keqmenaxhimit të arkëtimeve dhe vonesa e reformimit.

Në një projektligj të hedhur për konsultim së fundmi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë propozon që të zgjidhë ngërçet e ujësjellës-kanalizimeve me anë të koncesionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë