Drejtësia

Nis në Itali trajnimi i 27 hetuesve shqiptarë të BKH-së

Të hënën ka nisur në Itali trajnimi i i 27 hetuesve shqiptarë, anëtarë të BKH-së, një zyrë shumë e ngjashme me Drejtorinë Hetimore Antimafia (DIA).

Të pranishëm kanë qenë Drejtori i Policisë kriminale Italiane, Prefekti Vittorio Rizzi, Drejtori i Antimafias Italiane, Maurizio Vallone, kreu i Prokurorisë Speciale Shqiptare, Arben Kraja dhe drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj.

Trajnimi, i cili do të zgjasë një javë, i realizuar në kuadër të projektit Pameca V, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Italia, ka për qëllim të përforcojë më tej bashkëpunimin dypalësh policor midis Italisë e Shqipërisë.

Siç njofton Ambasada Italiane në Tiranë, në dispozicion të hetuesve shqiptarë do të vihet ekspertiza më e mirë kombëtare mbi çështje strategjike si lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Shqipëria është ndër vendet ekstra-europiane me numrin më të lartë të personave aktivë të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane dhe të kapur në territorin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë