Treg

Nis ndërtimi i Parkut Fotovoltaik në Karavasta. 50% e energjisë do blihet nga shteti me 24.9 euro/MWh

Nga Gazeta “SI” Ditën e sotme ka nisur, ndërtimi i parkut më të madh fotovoltaik në Ballkanin Perëndimor, në zonën e Karavastasë.

Kompania franceze Voltalia fitoi koncesionin 30-vjeçar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë në vitin 2020 dhe synon ta bëjë funksional atë deri në mesin e vitit 2023.

Sipas planit, 50% e energjisë, kompania do ia shesë OSHEE-së nëpërmjet një kontrate shitjeje 15-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do t’i shiten me kontrata afatgjata operatorëve privatë. Impianti i ri i Energjisë do të mbulojë konsumin vjetor të energjisë elektrike të rreth 220 mijë banorëve. Parku do të shmangë emetimin e më shumë se 96.500 ton CO2 në vit, i barazvlefshëm me 9.5% të emetimit të sektorit industrial shqiptar.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se vendi do të marrë për 15 vite 70 megavat orë me një çmim prej 24.89 euro.

“Është parku më i madh fotovoltaik në Ballkan me 140 megavat orë. Kjo ditë merr rëndësi më të madhe. Energjia që ne prodhojmë mbulon vetëm 70% të nevojave që ka vendi për konsum. Parashikimet për rritjet për çmimin e energjisë së importuar, janë hedhur poshtë pasi pritej që një megavat të ishte 250-260 euro, por ka arritur në 340 euro. Voltalia është një nga kompanitë e prodhimit energjetik, që ka zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Energjia e prodhuar prej këtij parku do të jetë 24.89 euro për megavat orë. Në mesin e vitit 2023 kur parku do të jetë në funksionim ne do të marrim për 15 vite 70 megavat orë me çmim 24.89 euro. Këtu po nis investimi prej 100 milionë eurosh për ti dhënë një frymëmarrje sistemit energjetik”, tha Balluku.

I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se në takimin me presidentin francez në Madrid, në kuadër të samitit të NATO-s, kanë folur pikërisht për angazhimin e Voltalias në Shqipëri edhe për vijimin e investimeve me parkun tjetër fotovoltaik që është në fazën përgatitore.

Ai përmendi edhe deputetin Erion Braçe, duke thënë se ai është tashmë i lehtësuar për nisjen e këtij projekti.

“Këtu mbaron edhe i gjithë tensioni i Erion Braçes për realizimin e kësaj vepre. Meriton respekt për këmbënguljen që ka treguar për ta lehtësuar këtë proces. Edhe pse ka bërë detyrën, Belinda meriton një falënderim të posaçëm sepse procesi ka qenë sfidues por edhe një histori e bukur suksesi. Duke nisur që nga çmimi, i paimagjinueshëm në atë moment…bëhet përtej çdo force të imagjinatës sot kur situata është tjetër. E çmojmë gatishmërinë e kompanisë për të vazhduar edhe pse në një situatë kaq sfiduese. Konjuktura, ndërkohë që çmimi i energjisë për Evropën e botën bëhet gjithnjë e më problem, Shqipëria mbetet i vetmi vend që s’e ka prekur dhe s’do ta prekë çmimin e energjisë për familjarët dhe biznesit të vogël.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë