Politike

Kuvendi rinis me tensione, vetëm 30 minuta seancë/ PD bllokon foltoren, mazhoranca miraton projektligjet

Gazeta Si – Sesioni i ri parlamentar ka nisur me tensione pasditen e kësaj të hëne, duke zgjatur vetëm 30 minuta, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren, duke mos lejuar askënd të fliste.

Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe deputetët e tjerë akuzuan zv.kryeministren Belinda Balluku se nuk duhet të ishte aty, por në burg sipas tyre.

“Të largohet Belinda Balluku nga seanca, nuk duhet të jetë këtu, por në burg së bashku me Edi Ramën”, ishin akuzat e deputetëve të PD.

Berisha nisi fjalim në foltoren e Kuvendit, por pavarësisht se mikrofoni u bllokua, ai përdori rrjetet sociale për të përcjellë fjalën e tij.

Projekt-vendimet e miratuara

Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, kaloi për miratim disa ligje, që morën vetëm votat e depuetetëve të mazhorancës. Pas kësaj, ai tha se seanca për sot mbyllet.

Me votim elektronik u miratuan dy projektvendime për ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PS-së.

Vendimet përfshijnë largime dhe emërime të reja deputetësh si anëtarë të përhershëm dhe zëvendësues në disa komisione.

Në seancë ishin të pranishëm 81 deputetë, ndërsa projektvendimet u miratuan me shumicë votash. Ndryshimet prekin komisionet për Nismat Qytetare, Çështjet Ligjore, si dhe Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen.

Reagimi i opozitës

Kreu i PD-së, e quajti provokim pjesëmarrjen e Belinda Ballukut në Kuvend, duke kërkuar largimin menjëhershëm të saj. Berisha tha se kryeministri Rama duhet të ishte i pranishëm, por nuk ka guxim të marri pjesë në kuvend.

“Ju mbroni një personazh që është bërë famoz në botë për vjedhje me Edi Ramën. Siç dorëzuar Veliajn do të dorëzoni Ballukun. Mos u bë bunker i korrupsionit. Mos provoko qytetarët! Provokacion i ulët ndaj qytetarëve shqiptarë. Prania e Lubisë në Parlament është provokacioni më i ulët ndaj shqiptarëve. Po të jetë burrë le të vijë ai tjetri, mos të fshihet pas Lubisë”, deklaroi Berisha.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, menjëherë pas përfundimit të punimeve të Kuvendit, tha se Kuvendi është kthyer në bunker të të korruptuarve. Bardhi shtoi se duhet të mblidhet Këshilli i Mandateve.

“Kuvendi i Shqipërisë është bërë streha e të korruptuarve. Kuvendi duhet t’i shërbejë shqiptarëve, por maxhoranca e ka kthyer në bunkerin e të korruptuarve. Përderisa parlamenti mbron të korruptuarit, opozita do të bllokojë seancat. I bëj thirrje Kuvendit, që mos vonojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe të dorëzojnë Ballukun”, u shpreh Bardhi.

Paralajmërimi i shumicës

Më herët, demokratët dhe socialistët nuk gjetën gjuhën e përbashkët. Të majtët në Konferencën e Kryetarëve, nëpërmjet kreut të grupit Taulant Balla ia bënë të qartë opozitës që ligjet e integrimit dhe dy reformat, zgjedhorja dhe territorialja do të kalojnë me apo pa dakordësinë e opozitës.

Në fjalën e tij, ai ftoi PD që të ulet në tryezën e dialogut dhe të lërë revolucionet, që sipas tij nuk do të ndodhin.

Ndërsa nënkryetari i kuvendit, Agron Gjekmarkaj dhe deputetja Ina Zhupa akuzuan Kuvendin dhe PS që janë kthyer në noter të Edi Ramës, duke mos mbledhur Këshillin e Mandateve, duke mos lejuar interpelancat dhe duke i cënuar fjalën opozitës në Parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë