Politike

20 minuta seancë, demokratët bllokojnë foltoren me pankarta në duar

Nga Gazeta 'SI' - Pa përplasje, seanca plenare e kësaj të hëne u shoqërua me trazira të lehta.

Opozita vijoi mosbindjen civile me akte më të zbutura, duke lejuar fjalimet, por jo foltoren, ndërsa socialistët duket se u gjetën të papërgatitur duke mbyllur punimet në 20 minuta..

Pas një muaji demokratët morën vendimin për të mos bllokuar seancën plenare dhe u paraqitën me pankarta në duar e me moton “Lironi Berishën”, ata bllokuan foltoren, por jo mikrofonat.

Në seancë ishin regjistruar për të folur 7 deputetë, mes të cilëve edhe dy opozitarë, Vangjel Dule dhe Dashamir Shehi, por përballë një foltoreje të bllokuar dhe një zhurmuesi të ndezur, preferuan të kalonin radhën.

Fjalimet e socialistëve ishin pa axhendë, duke ngritur shqetësime të ndryshme, që nga indeksimi i pensioneve deri tek ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. E teksa socialistët flisnin, demokratët dëgjonin.

20 minuta mjaftuan për t’i dhënë fund kësaj seance plenare, ndërsa demokratën preferuan mikrofonat e mediave sesa ato të Parlamentit për të dhënë qëndrimin e tyre.

Seanca e radhës është të enjten, por deri atëherë demokratët kanë një aksion për të bllokuar akset rrugore të martën pasdite, veprim i cili duket se ka marrë fokusin e tyre. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë