Gazeta Si – Ka përfunduar pas 3 orësh protesta e opozitës, ndërsa është kthyer në normalitet qarkullimi i automjeteve në 5 pikat kryesore që u bllokuan në Tiranë.
Megjithatë, në dy akse, te Bashkia e Tiranës dhe sheshi “Wilson” në kryeqytet, policia, në përpjekje për t’i zmbrapsur, i shpërndau deputetët e PD dhe protestuesit që i shoqëronin me gaz lotsjellës dhe ujë, për shkak se bllokimi i rrugëve konsiderohet një vepër penale.
Ka nisur që në fillim me përplasje të forta mes protestuesve dhe punonjësve të policisë, protesta për bllokimin e 5 akseve kryesore nga simpatizantët e mbështetës të opozitës.
Në krye të grupit protestues, qëndronte kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili disa herë është shprehur në komunikimet për mediat se bllokimi i rrugëve prej tyre është i ligjshëm, pasi kanë njoftuar policinë për tubimin. Protestuesit janë shpërndarë për një moment, por nuk janë larguar.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, opozita bllokoi pesë rrugët kryesore në kryeqytet, para Bashkisë së Tiranës, sheshi "Wilson", Pallati me Shigjeta, Zogu i Zi dhe zona pranë selisë blu, në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit.
Tensionet nisën menjëherë në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, ku pati përplasje mes deputetëve të opozitës dhe policisë. Një protestues i lënduar u ndihmua për t’u transportuar me ambulancë.
Policia tentoi të zhbllokonte rrugët dhe lejimin e qarkullimit të makinave, por deputeti i PD-së, Flamur Noka kërkoi që të mos provokohen në këtë protestë nga ana e uniformave blu, pasi ajo do të ishte e qetë.
Përplasja më e fortë ndodhi përpara Bashkisë së Tiranës, ku policia përdori ujë për shpërndarjen e protestuesve.
Pika tjetër e nxehtë e përplasjes ishte ajo te sheshi "Wilson", në zonën e Tiranës së Re. Policia kërkoi shpërndarjen e turmës dhe kalimin e automjeteve. Pas më shumë se një orë bllokimi, policia dërgoi dhe një autobot për shpërndarjen e turmës.
Policia hodhi më pas gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve që kishin bllokuar rrethrrotullimin e sheshit Willson. Pas shpërndarjes së protestuesve policia lejoi qarkullimin e makinave.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi hipi mbi autobotin e policisë pas tensioneve me efektivët blu.
Ai ishte i vendosur në sheshin "Wilson" së bashku me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Për shkak të kësaj situate, policia vendosi të hedhë gaz lotsjellës. Policia kërkon që të zhvendosë protestuesit pasi aty ishte bllokuar totalisht qarkullimi i makinave.
Krei i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi foli sërish për mediat duke akuzuar policinë për dhunë të paarsyetuar.
Sipas tij policia në mënyrë të paligjshme sulmoi protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës në tre nga pikat ku u protestua.
“Policia është kundër opozitës dhe në shërbim të krimit. Jemi drejt një shteti që nuk njeh ligje, s’njeh Kushtetutë dhe zbaton vetëm urdhra të paligjshme. Në pikat e protestës ishin efektivë pa numër policie pa identifikim, s’e dimë nëse janë anëtarë të bandave, patronazhistë apo çfarë ishin. Në pikat që nuk pati ndërhyrje të dhunshme të Policisë duket se atje ka pasur efektivë që e kanë kuptuar se urdhrat jepeshin me mesazh dhe ishin të paligjshëm. Kurse në dy pikat e tjera kishin marrë urdhër për ta shkelur ligjin”, u shpreh Bardhi.
Pyetjes se kur do të përfundojë protesta dhe si do të veprojë PD pas saj, Bardhi iu përgjigj duke thënë se e kanë qytetarët në dorë dhe do zbatohet vullneti i tyre.
“Protestën e çuam deri në fund, sipas asaj që ishte planifikuar, te Bashkia. Do i bindemi vullnetit të qytetarëve, se deri kur do vazhdojë mosbindja civile. Kështu është kur ke polici nën ombrellën e krimit të organizuar, që lag qytetarët, hedh gaz lotsjellës dhe dhunon. Hapat tona do i bëjmë të ditura hap pas hapi”, tha Bardhi.
Protesta nisi në orën 17:00 dhe do të përfundojë në orën 20:00, teksa njësoj si herën e fundit, kur u bllokuan disa nga akset kryesore të vendit, nuk pati fjalime apo podium nga drejtuesit e opozitës, me përjashtim të Belind Këlliçit, i cili me një megafon tha se protesta ia kishte arritur qëllimit.
Këlliçi falënderoi njerëzit që iu përgjigjën thirrjes së PD. Ai u shpreh se po fryn një erë pro PD-së dhe kthimit të shtetit në kufijtë e kushtetutshmërisë.
“Duke falenderuar gjithë qytetarët e Tiranës, demokratët, opozitarët, duke falënderuar këdo që ju përgjigj thirrjes së PD për këtë protestë të sotme, duke ju kujtuar qytetarëve se koha kur punohej për të zhbërë opozitën në Shqipëri ka marrë fund. Vetëm javën e kaluar, me dy rezolutat e fundit të internacionales botërore të partive të djathta dhe të qendrës së djathtë, dhe PPE-së e kuptoni që të gjithë që një erë ndryshe po fryn, era pro opozitës, pro PD dhe pro rikthimit të shtetit tonë në kufijtë e kushtetutshmërisë dhe rendin kushtetues”, tha Këlliçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.