Pasditen e së enjtes ka nisur largimi i barrikadave në fshatin Rudarë, i cili gjendet në komunën e Zveçanit.
Sipas informatave nga terreni, po bëhen përgatitje për largimin e barrikadave edhe në Mitrovicë të Veriut.

Te barrikada në Rudarë dhe tek ajo në Mitrovicë të Veriut janë të pranishëm njerëz me maska.
Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.
Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.
Dejan Pantiç u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.
Më 28 dhjetor, Pantiçit iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Se barrikadat do të largoheshin tha të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.
Vuçiç u takua me ta mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Ai tha të mërkurën se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin. Kërkesat e serbëve janë: lirimi i ish-policit Dejan Pantiç, që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”, dhe të mos lejohej hyrja e forcave speciale të Kosovës në veri.
Shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se “diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës”.
Ai përshëndeti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
“Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje”, shkroi Borrell në një postim në Twitter.
“Tani kemi nevojë për përparim urgjent në dialog”, shtoi Borrell.
Ai, po ashtu, lavdëroi punën e BE-së, SHBA-së dhe KFOR-it lidhur me këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




