Kosova

Largohen barrikadat në Jarinjë dhe Bërnjak. KFOR siguron kufirin Kosovë-Serbi (foto, video)

Këtë të shtunë ka nisur zhbllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë. Në orët e hershme të mëngjesit, në afërsi të këtyre dy pikave kufitare janë parë pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Mediat vendore në të dyja këto pika, kanë raportuar se serbët lokalë, të cilët kanë bllokuar rrugën tash e sa ditë, kanë ndezur kamionët e tyre dhe kanë nisur të largohen nga këto hapësira.
Deri në orën 08:00, njëra korsi e rrugës në Jarinjë është liruar nga protestuesit. Ata kanë nisur t’i mbledhin gjësendet e tyre dhe janë larguar bashkë me kamionët.
Edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është larguar.
Këto dy pika kufitare janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi.
Sipas vendimit, makinat me regjistrim të Serbisë, duhet të heqin këto targa në hyrje të Kosovës, dhe të marrin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në Kosovë.

Këtë masë, Serbia e zbaton për makinat me regjistrim të Republikës së Kosovës tash e sa vjet.
Por, delegacionet e këtyre dy shteteve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut.

Sipas marrëveshjes:
– Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
– Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
– Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.
“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Borrell.
Zëdhënësja e NATO-s, ka thënë Oana Lungescu se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, “do të luajë rol themelor, për të siguruar zbatimin efektiv” të marrëveshjes.
Disa punonjës në institucionet e Serbisë, të cilat funksionojnë në Kosovë, kanë konfirmuar ditë më parë se ata janë “të detyruar” që me radhë të marrin pjesë në bllokimin e pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Ata kanë deklaruar se autoritetet lokale po u kërkojnë ta bëjnë këtë gjë, por kanë kërkuar që identiteti i tyre të mos zbulohet.
Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, kryetarët e komunave janë nga Lista Serbe, partia kryesore e formuar me mbështetjen e Beogradit zyrtar më 2013.
Nga subjektet politike serbe, kjo parti është e vetmja e përfaqësuar në institucionet qendrore të Kosovës. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë