Kamionët u larguan nga rruga në fshatin Rudarë. Serbët lokalë më 31 korrik vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë në pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica dhe nëpër të kalon magjistralja për në pikëkalimin e Jarinjës.
Policia e Kosovës konfirmon se pati lëndime të qytetarëve në veri
Policia e Kosovës ka thënë më 1 gusht se gjatë mbrëmjes të së dielës janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë, të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë, “janë ndaluar dhe sulmuar”.
Sipas Policisë, këtyre qytetarëve u janë shkaktuar lëndime dhe dëme materiale në automjetet e tyre.
Policia ka konfirmuar, po ashtu, se më 31 korrik pas bllokimit të rrugëve në veri, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore.
“Si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimit, nuk është raportuar për ndonjë të lënduar nga radhët e pjesëtarëve të Policisë.
Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.
Vendimi për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje, po zbatohet në katër pikat e tjera kufitare me Serbinë, të cilat janë të hapura.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.
Vulin: SHBA-ja të bindë Kosovën për një zgjidhje
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar më 1 gusht se “muaji i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për marrëveshje dhe diplomaci”, teksa ka komentuar bllokadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Vulin ka porositur serbët në Kosovë se “nuk duhet t’i besojnë Prishtinës dhe duhet t’i besojnë Serbisë së tyre dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”.
Ai ka thënë se nuk pret asgjë nga Prishtina, por pret që Bashkimi Evropian – nën ndërmjetësimin e të cilit u arritën dy marrëveshje për formimin e Asociacionit – të formojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Unë pres që Shtetet e Bashkuara, që kanë treguar se kanë ndikim të madh në Kosovë, të vazhdojnë ta përdorin këtë ndikim për të mirë… të vazhdojnë ta përdorin ndikimin për ta bindur [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin që të arrijë një zgjidhje”, ka thënë Vulin.
“BE-ja po ndjek me ‘shqetësim’ ngjarjet në Kosovë”
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian(BE), Peter Stano, konfirmoi se institucionet e BE-së, por edhe shtetet anëtare, po vëzhgojnë “me shqetësim” ngjarjet në Kosovë.
Ai konfirmoi se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel, në kuadër të vazhdimit të dialogut.
“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano.
Haradinaj: Veprimet e lëna në gjysmë janë humbje për Kosovën
Ramush Haradinaj, kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit për targat dhe dokumentet e Serbisë.
Haradinaj ka thënë më 1 gusht se “Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente”.
“Operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë. Çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën”, ka shkruar ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




