Nga Gazeta ‘Si’- Sot zyrtarisht ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Me ligjin e ri për zgjedhjet, fushata do të jetë e hapur deri në momentin e hapjes së qendrave të votimit, ora 7 e të dielës së 9 shkurtit, kur fillon heshtja zgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje do të nisë fushatën nga Gjakova, ndërsa PDK, LDK dhe AAK do të mbajnë tubimet e tyre hapëse në Prishtinë. Edhe partitë dhe koalicionet e tjera më të vogla kanë paralajmëruar takimet e para gjatë ditës së shtunë.
Pavarësisht se sot fillon zyrtarisht fushata, të gjitha partitë kanë mbajtur tubime nëpër të gjitha qytetet në Kosovë dhe jashtë vendit në mobilizimin e elektoratit që pas caktimit të datës së zgjedhjeve në verën e vitit të kaluar. Në zgjedhjet e 9 shkurtit garojnë 28 subjekte politike me rreth 1300 kandidatë për 120 ulëse të Kuvendit të Kosovës.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë mbi 2 milionë qytetarë, me rreth 105 mijë të regjistruar nga diaspora.
Ndryshe nga Shqipëria, Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe me lista të hapura. Votuesit, pasi përcaktohen për subjektin që duan të votojnë, zgjedhin edhe dhjetë kandidatët e tyre të preferuar në listë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.