Festivali i 18-të Ndërkombëtar i Filmit për Të Drejtat e Njeriut organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” çeli siparin mbrëmjen e 18 shtatorit në kryeqytet.
Festivali i cili do të zgjasë deri më 23 shtator, do të shfaqë 49 filma, kryesisht në kinemanë e Marubit si edhe në institucione të tjera si Parlamenti, Autoriteti i Dosjeve, Akademia e Policisë, Shkolla e Magjistraturës, kinema “Maks Velo” Laprakë, Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, etj.
Tema e filmave të këtij edicioni është “E Vërteta, Pandëshkueshmëria dhe të Drejtat e Njeriut”.
Drejtori ekzekutiv i festivalit, kineasti Kujtim Çashku tha se festivali merret me dilemat.
“Dilemat e këtij viti? Flasim për pandëshkueshmërinë, në Shqipëri, në Europë dhe në botë të lidhura me strukturat e vjetra. Nuk e dimë çfarë krimesh kanë ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore dhe askush nuk është vënë para përgjegjësisë. Kur flas për krime flas për ata që kërcënojnë planetin dhe flas për krimet në Ukrainë”, është shprehur kineasti Kujtim Çashku.
Kosova, Ukraina, Izraeli, Italia, Rusia, Palestina, Hungaria, Gjermania, Uganda etj janë shtetet ku shtrihet harta e filmave të këtij edicioni dhe gjuhët e tyre, duke sjellë raste të ndëshkimit e mosndëshkimit përmes dokumentarëve dhe filmave artistikë.
Gjyqe ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit, metodat e eleminimit të kundërshtarëve politikë në sistemet komuniste, privimi nga e drejta e punës për gratë, trajtimi dhe tortura ndaj shqiptarëve në burgjet serbe, qyteti nën komandën e mafias, etj janë disa prej tematikave të trajtuara në filmat e këtij edicioni.
Pas fjalës hapëse të themeluesit të festivalit, regjisorit Kujtim Çashku, në mjediset e Akademisë Marubi u shfaq filmi i parë i këtij festivali, “Marrëzi Martese” dhe mbrëmja vijoi nën tingujt e muzikës së këngëtares Vikena Kamenica & Band.
Ambasadorë dhe regjisorë të filmave që japin mesazhe të forta për të drejtat e njeriut do të jetën të pranishëm përgjatë 6 ditëve të festivalit që jep një panoramë të prodhimeve dokumentare e filmike të 2 viteve të fundit, duke dashur t’u jepet një qëndrim i qartë të rinjve.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Të Drejtat e Njeriut vjen cdo vit me një tematikë të caktuar, por që kanë një emërues të përbashkët, ata kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të drejtat e njeriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.