Ne rrjet

Nikki Haley, kush është vajza e dy emigrantëve indianë që mund të jetë presidentja e ardhshme e Amerikës

Nga Gazeta ‘Si’ – Nikki Haley deklaroi në prillin e vitit 2021 se nuk do të kandidonte për presidente në zgjedhjet e 2024-s nëse në garë do të hynte sërish Donald Trump. Megjithatë, pak më shumë se një muaj para fillimit të garës paraprake brenda partive për kandidatin zyrtar, Haley, ish-ambasadore e SHBA në OKB-së dhe guvernatore e Karolinës së Jugut, po shfaqet si një pretendente e fortë për nominimin e Partisë Republikane.

E lindur në SHBA nga 2 prindër indianë, Haley thotë se frymëzohet nga ish-kryeministrja legjendare e Britanisë së Madhe, Margaret Thatcher, dhe ka një përvojë të madhe ndërkombëtare si dhe aftësi të jashtëzakonshme menaxheriale.

Tani ajo po shfaqet si një alternativë bindëse ndaj Trump, por pa dramat dhe sjelljet hakmarrëse të këtij të fundit. Po ashtu Haley ka tërhequr mbështetjen e donatorëve me ndikim, të cilët e shohin atë si kandidaten republikane që ka shanset më të mira për të mposhtur vitin e ardhshëm presidentin aktual Joe Biden.

Nimrata Nikki Randhawa ka lindur në vitin 1972 në Bamberg, Karolina e Jugut. Ajo mori mbiemrin e bashkëshortit kur u martua me Michael Haley në vitin 1996. Çifti ka dy fëmijë të rritur. Prindërit e Nikki Haley ishin emigrantë Sikh nga Amritsar, në shtetin Punjab të Indisë.

Ata ishin e vetmja familje indiane në një qytet të vogël jugor me 2500 banorë dhe 2 semaforë gjithsej. E rritur në Bamberg, Haley kujton se ndihej shpesh si një “vajzë lëkurë-kafe në një botë me të bardhë e të zinj”. Ajo kujton në një nga librat e saj, se familjes do t’i raportohej edhe gabimi më i vogël që bënte në shkollë.

Haley studioi për kontabilitet në Universitetin Klemson, por shumë shpejt u interesua për çështjet publike. Ajo u zgjodh në parlamentin shtetëror në vitin 2004, u rizgjodh pa kundërshtarë në vitin 2006, dhe fitoi sërish me 83 për qind të votave në vitin 2008.

Dy vjet më vonë, ajo u bë guvernatorja më e re e vendit në moshën 38-vjeçare. Haley ishte guvernatorja e parë femër e Karolinës së Jugut dhe personi i tretë jo i bardhë i zgjedhur si guvernator i një shteti jugor. Ajo fitoi një mandat të dytë 4 vjet më vonë.

Si guvernatore, ajo ndërmori veprime për të hequr flamurin e Konfederatës nga parlamenti i  shtetit të Karolinës së Jugut, pasi një racist i bardhë vrau 9 zezakë në Kishën Episkopale Metodiste Afrikane Emanuel në Charleston. Bazuar tek përvojat e saj personale të fëmijërisë, Haley e ka luftuar në mënyrë aktive racizmin dhe ka promovuar gjithë-përfshirjen. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, ajo mbështeti kandidatin republikan Marco Rubio dhe kritikoi hapur Donald Trumpin. Haley u pajtua me të pasi ky i fundit fitoi zgjedhjet, por tani ajo është bërë një rivale e fortë e tij.

Kur Trump i kërkoi Haley shërbente si ambasadore e tij në Kombet e Bashkuara, ajo i tregoi kushtet e saj. Nikki këmbënguli të ishte anëtare e kabinetit për të pasur në qasje të drejtpërdrejtë tek presidenti, dhe po ashtu donte një pozicion në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Edhe pse zakonisht nuk ka qejf të përfshihet në debate, kur Shtëpia e Bardhë pretendoi se ajo ishte konfuze pas shpalljes së sanksioneve kundër Rusisë, Haley u përgjigj:“Me gjithë respektin e duhur, unë nuk ka pasur asnjë konfuzion mbi këtë çështje”.

Libri i Haley mbi gratë që ajo admiron, e theksoi atë frazë në kapitullin kushtuar Jean Kirkpatrick, ambasadores së parë femër të Shteteve të Bashkuara në OKB. Njeriu që ajo admiron më shumë është Margaret Thatcher, e cila shërbeu si kryeministre konservatore e Britanisë së Madhe në vitet 1979- 1990.

Titulli i librit “Nëse doni që diçka të bëhet”, është huazuar nga citati i famshëm i Thatcher: “Nëse doni llafe pyesni një burrë; nëse doni të bëni diçka vërtet, kërkojani një gruaje”. Haley e përdori frazën në debatin e parë në primaret republikane në Milëaukee më 23 gusht.

Fakti që Nikki Haley nuk është pozicionuar si një centriste e moderuar, është dëshmi e ndryshimit brenda Partisë Republikane. Diskursi i saj i arsyeshëm dhe i përmbajtur, është në një kontrast i fortë me rivalët, të cilët refuzojnë realitetin e ndryshimeve klimatike dhe përqafojnë teoritë e konspiracionit.

Haley shkëlqen më shumë në politikën e jashtme, ku ajo mbron me vendosmëri pozicionet më të ashpra, duke e qenë plotësisht e vetëdijshme për udhëheqjen globale të Shteteve të Bashkuara, por edhe për kërcënimet e paraqitura nga Kina dhe Rusia.

Por kur ajo u vendos në qendër të vëmendjes në debatin më të fundit, u përball me akuza për shitje të ndikimit dhe shfrytëzim të përvojës së saj qeveritare për përfitime personale. Kur shërbente si guvernatore, ajo i ofroi kompanisë Boeing lehtësira të shumta për të investuar në Karolinën e Jugut.

Ndërkohë pas largimit nga detyra, u bë pjesë e bordit drejtues të kësaj kompanie. Për më tepër, ajo e përdori përvojën e saj si ambasadore e OKB-së për të siguruar angazhime shumë fitimprurëse përmes mbajtjes së fjalimeve në aktivitete të ndryshme.

Haley, një politikane konservatore dhe ish-kontabiliste në profesion, mbron disiplinën fiskale dhe reforma dhe shkurtime buxhetore në fushën e sigurimeve shoqërore dhe kujdesit shëndetësor. Ndërsa është kundër abortit, ajo nuk është pro kriminalizimit të tij.

Po ashtu, Haley kritikon disa fraksione të feminizmit radikal për armiqësinë e tyre të hapur ndaj burrave. Si një grua e spikatur në skenën publike, Haley ka thyer shumë pengesa. Sondazhet tregojnë se ajo do të mundte lehtësisht Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.

Por së pari ajo duhet të kapërcejë avantazhin e madh që ka ende Trump për nominimin si kandidat zyrtar i republikanëve.

Rruga nuk do të jetë e lehtë, por ajo është e vendosur të ecë në gjurmët e Margaret Thatcher. Nëse zgjidhet pas një viti, Haley do të bëhej presidentja e parë femër e Shteteve të Bashkuara dhe do të marrte detyrën më 20 janar 2025, pikërisht në ditëlindjen e saj e 52-të.

Burimi: El Pais/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë