Gazeta Si – Udhëheqësit e grushtit të shtetit në Niger, të cilët rrëzuan presidentin Mohamed Bazoum, kanë thënë se do ta “ndjekin penalisht” të parin e vendit për “tradhti të lartë”, pasi “kërcënon sigurinë”.
Këtë e kanë bërë të ditur përmes një deklarate të lexuar në televizionin kombëtar.
“Qeveria e Nigerit deri më tani ka mbledhur prova për të ndjekur penalisht presidentin e rrëzuar dhe bashkëpunëtorët e tij vendas dhe të huaj përpara organeve përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për tradhti të lartë dhe minim të sigurisë së brendshme dhe të jashtme të Nigerit”, tha Kolonel-Major, Amadou Abdramane.
Për më tepër, puçistët denoncuan “sanksionet e paligjshme, çnjerëzore dhe poshtëruese” të Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS).
Popullsia e Nigerit, është “sprovuar ashpër nga sanksionet ilegale, çnjerëzore dhe poshtëruese të ECOWAS, të cilat shkojnë aq larg sa e privojnë vendin nga produktet farmaceutike, ushqimet” dhe “furnizimet me energji elektrike”, tha përsëri Amadou Abdramane.
Liderët ushtarakë thanë se nuk e kanë uzurpuar pallatin e Bazoumit dhe se ai është ende i lirë të komunikojë me botën e jashtme. Bazoumi është vizituar vazhdimisht nga mjeku i vet, sipas tyre.
“Pas vizitës, mjeku nuk ngriti ndonjë shqetësim rreth gjendjes shëndetësore të presidentit të shkarkuar dhe anëtarëve të familjes së tij”, tha ushtria.
Presidenti i rrëzuar ka thënë se po mbahet “peng”, pa rrymë elektrike dhe se për të ngrënë ka vetëm oriz dhe pasta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



