Gazeta Si – Presidenti venezuelian, Nicolás Maduro akuzoi qeverinë ekuadoriane të drejtuar nga presidenti Daniel Noboa dhe administratën e mëparshme të Guillermo Lasso, për lehtësimin e rrugëve të trafikimit të drogës në territorin ekuadorian, nën ndikimin kriminal të mafies shqiptare.
Maduro, duke cituar një raport të OKB-së, vuri në dukje se trafikimi i kokainës kolumbiane është zhvendosur drejt Oqeanit Paqësor, kryesisht duke përdorur rrugët ekuadoriane dhe peruane.
“Tetëdhjetë e shtatë përqind e drogës së Kolumbisë kalon nëpër rrugët e Daniel Noboas dhe Dina Boluartes, Ekuador dhe Peru, ku sundon e djathta ekstreme, e kolonizuar nga amerikanët”, tha ai.
Sipas mediave ekuadoriane, presidenti pohoi se mafia shqiptare kishte fituar terren në Ekuador në kohën e administratës së ish-presidentit Guillermo Lasso dhe do të vazhdonte nën administratën e Daniel Noboas, të cilin e përshkroi si një “president mashtrues”.
Sipas Maduros, këto banda kriminale kanë “marrë kontrollin e Ekuadorit” dhe po përdorin “të njëjtat metoda”, si kartelet e Medellín-it dhe Cali-t në Kolumbi, të udhëhequra dikur nga trafikanti i drogës Pablo Escobar.
Megjithatë, ai theksoi se vetëm 5% e drogës kolumbiane përpiqet të kalojë nëpër territorin ose ujërat e Venezuelës, ndërsa 8% e bëjnë këtë nëpërmjet rrugëve kriminale në La Guajira, “të cilën Iván Duque ende e kontrollon”.
“Dikush në botë duhet ta thotë këtë”, theksoi Maduro, duke këmbëngulur se Venezuela mban “kufij të blinduar” dhe se “është një kampione botërore në luftën kundër trafikut të drogës dhe mafies së lidhur me Kolumbinë, Ekuadorin dhe Perunë”.
Rreth një javë më parë, në 8 gusht, SHBA njoftoi se kishte rritur në 50 milionë dollarë shpërblimin për informacione që çojnë në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke dyfishuar kështu shumën e vendosur më parë në 25 milionë dollarë nga administrata Trump në janar.
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-ve, Pam Bondi, në një video të postuar në rrjetet sociale të enjten, e përshkroi Maduron si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë, duke bashkëpunuar me kartelet si Tren de Aragua, Cartel of the Suns dhe karteli famëkeq i Sinaloas në Meksikë.
Ajo tha se Maduro përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe për këtë arsye u dyfishua shpërblimi.
Sipas Bondit, Departamenti i Drejtësisë ka sekuestruar deri tani mbi 700 milionë dollarë pasuri të lidhura me Maduron, përfshirë dy aeroplanë privatë dhe nëntë automjete. Po ashtu, tonelata kokainë e sekuestruar është lidhur drejtpërdrejt me presidentin venezuelan.
Maduro u akuzua në një gjykatë federale amerikane në vitin 2020 për çështje të lidhura me drogën dhe u ofrua një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për arrestimin e tij, që më pas u rrit në 25 milionë nga administrata Biden. Kjo shumë është po aq sa shpërblimi që u dha për arrestimin e Osama bin Laden pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Pavarësisht këtyre akuzave dhe shpërblimeve, Maduro vazhdon të mbajë pushtetin pas rizgjedhjes së tij në vitin 2024, në një proces zgjedhor që u kritikua ashpër nga SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe disa vende të Amerikës Latine.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



