Drejtësia

Ngritja e SPAK-ut trembi policët e 5 mijë lekësheve, por jo korrupsionin e politikës

A.V., është njëri nga qytetarët më të fundit që pavarësisht se dokumentet e makinës i kishte në rregull dhe ndonëse nuk po kryente asnjë shkelje, i zgjati lekët efektivit të policisë rrugore.

I riu duket se e kishte kryer shpesh këtë veprim, pasi paratë ishin vendosur kujdesshëm mes dokumenteve që iu kërkuan nga polici. Kur polici në Tiranë e pyeti se përse duheshin këto para, A.V., iu përgjigj: “Të pish një birrë dhe ti se je lodhur”.

Tanimë, ndaj A.V., rëndon akuza e korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe 29- vjecari, i cili u ndalua për këtë vepër, rrezikon nga 6 deri në tre vjet burgim, sipas detyrimeve të Kodit Penal.

Por monitori i qendrës “Fol” ndaj kësaj vepre penale, vëren se prej muajit qershor deri në shtator, u proceduan nga Policia Rrugore e Tiranës, 45 drejtues mjetesh në kryeqytet, të cilët vërehen se kryen të njëjtin veprim. Zgjatën para drejt një poici rrugor, një fenomen dhe shifër e konsiderueshme që më herët mungonte si reagim.

“Në konsideratën time, çmoj që ashpërsimi i Kodit Penal që e dërgoi së pari këtë vepër pranë SPAK-ut dhe që për shkak të vlerave monetare të ulëta, e ktheu në një prokurori të juridiksionit të zakonshëm, impaktoi direkt policët.

Policët rrugorë kanë frikë nga hetimet e SPAK-ut dhe sapo një qytetar u zgjat para, ata raportojnë menjëherë dhe ndalojnë qytetarin korruptues”, tha për Gazetasi.al, një zyrtar i lartë i policisë, i cili pranoi se ndalimet e shumta të shoferëve për këtë krim, po vërehen si një risi penale.

Por njëherazi, monitorimi i qendrës “Fol” mbi çdo rast të veprave të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, vëren jo vetëm ndalimin e shoferëve për atë që quhet si “korrupsioni i mbijetesës”, por edhe ndërgjegjësimin e tyre për të denoncuar rastet e shpërdorimit të detyrës, që sipas tyre kryhen nga rangje të ndryshme të administratës.

“Mungesa e vendosjes së rripit të sigurimit, si një nga format e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, ka sjellë në gjashtë, raste sipas Monitorimit të ‘Qendrës Fol’, hapjen e kuletës nga qytetari dhe më pas edhe arrestimin e tij në flagrancë.

Por një drejtues mjeti e ka justifikuar dhënien e parave me urdhrin “na merrini këto dhe pini ujë e mos rrini t’u vendosni gjoba kot njerëzve”, vëren monitorimi, që duke ndjekur rastin e qytetarit se çfarë ndodhi më pas me të, evidendtohet se për të u kërkua nga prokuroria masa e detyrimit me parqitje, ashtu sikundër është vepruar me gjithë të tjerët.

Po korrupsioni i madh?

Prania e SPAK, ka trembur sidomos punonjësit e thjeshtë të administratës dhe policët e nivelit bazë, që refuzojnë të përfitojnë para nën dorë.

Megjithatë, të vetmit që reagojnë duke referuar rastet e tentativës për t’u korruptuar nga pala tjetër deri më tani, janë vetëm policët kufitarë dhe ata të qarkullimit rrugor.

Administrata, me gjithë operacionet e kryera herë pas here gjatë muajve qershor-gusht nga SPAK, ende nuk ka nisur të reagojë.

“Patjetër që vijohet të paguhen nën dorë, është një kulturë dy palëshe e marrëdhënies qytetar-shtet, pasi korrupsioni nuk bëhet vetëm“, – përshkruan oficeri i policisë gjyqësore për Gazetasi.al.

Megjithatë shembujt e mëdhenj të korrupsionit të madh, ende nuk kanë nisur të jenë prezentë nga hetimet e SPAK, ndonëse tre nga më të rëndësishmit të hetuar deri më tani, vijojnë të jenë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ish-ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu për të cilin SPAK kërkon ta hetojë për dosjen “Gërdeci”.

Në raportimin vjetor të 2020-ës, SPAK tregoi se kishte mbajtur nën vëzhgim 238 dosje të hetimit të korrupsionit, ku kryesuan ata që kërkuan para drejtpërdrejtë ose tërthorazi për të ofruar një shërbim.

Ky hetim për këtë vepër penale, u regjistura ndaj 98 personave, kurse 30 persona u konstatuan qytetarë të thjeshtë nën hetim, pasi paguan një efektiv policie   për të mbyllur njërin sy e për t’i lejuar që të kalonin kufirin ose mos t’iu vendoste gjobë.

Me ndërhyrjet në ligj, qytetarët që paguajnë vlera të tilla të pakonsiderueshme, i kaluan prokurorive të zakonshme gjatë këtij viti.

Sa i takon njerëzve më të lakuar si të korruptuar, pikërisht gjyqtarë dhe prokurorë, SPAK pranon se hapi dosjet ndaj 67 gjyqtarëve dhe prokurorëve nën akuzë për veprën 319 /cc, prej të cilëve, 45 vijojnë ende të jenë nën hetim nga prokurorët e posaçëm.

Nga ana tjetër, edhe politika nuk ka munguar të ngjisë shkallët e të denoncojnë në SPAK së bashku me qytetarët, që gjatë këtij viti kryesuan paditë për korrupsionin zgjedhor.

Megjithatë, për SPAK ‘peshqit e mëdhenj’ duket se do të jenë ata që përfaqësojnë llojin e tretë të korrupsionit, që nuk është as ai i mbijetesës dhe as ai i gjyqtarëve, por korrupsioni politik, thënë ndryshe i politikanëve.

Derisa të vijë radha e tyre, prangat po i provojnë vetëm qytetarët që paguajnë. Rasti më tipik është ai i shtetasit A.M., që ndonëse pagoi ryshfet, këmbënguli se nuk korruptoi askënd.

Sipas burimeve të Gazetasi.al, veprimet e qytetarit u ekspozuan nga kamerat e sigurisë që filmuan se si kontrollorja  dhe inspktorja në Areoportin e Rinasit, i zgjati qytetarit një letër të verdhë, teksa qyterari më herët kishte futur dorën në xhep.

“Ky person, me qëllim për të udhëtuar me linjën ajrore Tiranë-Vjenë, u vërejt nga kamerat e sigurisë, duke nxjerë nga portofoli një kartmonedhë në dukje 50 euro”. Por qytetari dha dëshminë e tij, që nuk e shpëtoi as atë, as oficeren nga përgjegjësia.

“Ia dhashë për respekt dhe respektin s’ma ndaloni dot”, deklaroi i riu, që pavarësisht kësaj, u pa nga gjykata si i korruptuar së bashku me policen kufitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë