Politike

Flamuri i BE çohet pa opozitën, Rama: Berisha, antivlera e unionit. Anëtarësimi në dorë të drejtësisë

Në godinën e Kryeministrisë është ngritur flamuri i Bashkimit Europian pas hapjes së bisedimeve të anëtarësimit.

Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin kryeministri Edi Rama, diplomatë të huaj, krerët e komuniteteve fetare, si dhe ministra e deputetë të PS-së, ndërsa mungonte opozita. Kryeministri Edi Rama iu rikthye edhe njëherë tjetër mungesës së opozitës, qoftë në Bruksel, qoftë në ngritjen e flamurit të BE-së.

LEXO EDHE:
– Bisedimet me BE, maratona me 35 pengesa! Ku ka progres e ku çalon Shqipëria
– Negociatat nisin me kërkesën e BE për ndëshkim të të larguarve nga Vettingu, Rama ‘thumbon’ opozitën
– Negociatat, PD: Rama, i fundit që duhet të gëzojë! Anëtarësimin e përmbyllim ne

“Do të kisha dashur shumë që sot të ishte këtu dhe opozita, pasi jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, pasi ky nivel i ri marrëdhëniesh kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës. Por, opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe logjikën e Bashkimit Europian që nga minimi i demokracisë dhe korrupsioni dhe një pjesë tjetër e cila nuk është damkosur, por edhe po i ftove nuk vijnë se kanë frika nga e para”, deklaroi Rama.

“Ngritja e këtij flamuri në selinë e Kryeministrisë shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel. Ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënies së shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me standardet europiane”, vijoi Kryeministri.

Negociatat e anëtarësimit, sipas metodologjisë së re të zgjerimit të miratuar vitin e kaluar nga BE, përcaktojnë se kapitujt që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe shtetin ligjor hapen të parët dhe mbyllen të fundit.

E njëjta metodologji përcakton se nëse BE vlerëson se vendi kandidat po bën hapa pas edhe procesi i bisedimeve mund të bëjë hapa pas, që do të thotë se nëse një kapitull është mbyllur njëherë, ai mund të hapet sërish.

Për këtë arsye, apeli i Kryeministri Rama këtë të mërkurë ishte për drejtësinë dhe garantoi se Qeveria e tij nuk do të bëhet mburojë politike për asnjë.

“Dua t’u them përfaqësuesve të drejtësisë se shpejtësia e anëtarësimit në BE do të varet edhe nga puna e tyre. Mos ua mohoni fëmijëve tuaj Shqipërinë europiane që meritojnë. Për sa kohë që unë jam këtu asnjë nuk do të ketë mburojë politike”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë