Kryeministria njofton se ka gati anëtarët e Bordit të Administrimit, që thotë se do të garantojë transparencën dhe kontrollin e çmimit të karburanteve në treg për të mbrojtur qytetarët nga çmimet spekuluese.
“Situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtëpërdrejt të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit si edhe transparencën e çmimit”, thuhet në njoftim.
Bordi i përbashkët i administrimit me tregtarët e karburanteve, nga Qeveria do të ketë në përbërje ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, drejtorin e Tatimeve, Ceno Klosi, drejtorin e Doganave, Gent Gazheli dhe kreun e Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.
Mbetet për t’u mësuar emri i anëtarëve të tregtarëve në këtë bord, që mund të zbardhet bashkë me aktin normativ me fuqinë e ligjit, që qeveria thotë se do të përcaktohet të shtunën.
“Një Akt-Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e kësaj emergjence shkaktuar nga lufta në Ukrainë, do të përcaktojë që nesër edhe kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit, për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës”, mbyllet njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.