Politike

Ngjarjet kriminale / Ministri i Brendshëm, Hoxha: Kambanë alarmi, mbështes policinë në përballjen me krimin!

Gazeta Si - Pas ngjarjeve kriminale të ditëve të fundit, me 6 viktima në të paktën 24 orë, ministri i Brendshëm i vendit, Ervin Hoxha, i ka dalë në mbështetje forcave të rendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha shkruan se do të jetë në krah të çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor.

Ministri Hoxha ngjarjen e sotme, por edhe konfliktet ku janë përdorur armë zjarri gjatë kësaj jave e që kanë marrë disa jetë njerëzish, i cilëson kambanë alarmi që kërkojnë reagim të menjëhershëm.

"Të qarkullosh me armë zjarri në rrugë, qendra të banuara e kudo, për qëllime kriminale, siç ka ndodhur ditët e fundit apo edhe sot në Malësinë e Madhe, nuk është thjesht një kambanë alarmi. Kjo kambanë na vendos përballë një detyre të madhe: Për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për të siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin. E nga ana tjetër dhe po me kaq rëndësi, për të ndryshuar dhe reformuar organizatën e Policisë, nga qendra në bazë, në një shërbim model, pasqyrë e shoqërisë tonë, model që mund ta ofrojnë vetëm drejtues profesionistë dhe me integritet, dhe një organizatë e mirëstrukturuar dhe reaguese mëse e shpejtë", - tha ai.

Hoxha shton se "në detyrën e Ministrit të Brendshëm, do të mbështes maksimalisht dhe pa asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht rrezikut dhe vështirësive, siç po përballet sot Policia e Shkodrës në luftën e saj kundër kultivimit të kanabisit apo Policia e Shtetit në përballjen e saj me krimin në çdo cep të vendit".

Ministri thekson se "do të jem krah çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor. Qytetarët dhe Shqipëria turistike duan një Polici efikase në çdo moment, për të garantuar jetën dhe pronën, për të siguruar një ambient të sigurt shoqëror dhe respektim të të drejtave e lirive themelore të tyre".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë