Ngjarje

Ngjarja në Fier, dëshmitë kontradiktore të vajzës së viktimës dhe kryeplakut të fshatit

Nga Gazeta Si- Ngjarja në Fier, ku vajza 26-vjeçare ka vrarë me tel babain e saj ka nxjerrë në pah edhe dramën që prej vitesh ndodhte në këtë familje.

Të shumtë kanë qenë familjarë dhe të njohur të viktimës që kanë folur për mediat pas ngjarjes, duke thënë se viktima dhunohej nga gruaja e tij dhe vajza, ndërsa thonë edhe se ai ishte lënë që të jetonte më vete në një dhomë jashtë shtëpisë.

Kryeplaku i fshatit Frashër thotë se viktima ishte një njeri punëtor dhe i qetë, ndërsa shton se ka pasur probleme në familjen Rama dhe se gruaja me vajzat e linin edhe pa bukë të ndjerin.

“Anesti ka qenë burrë i mirë, punëtor, por ka pasur probleme familjare me gruan, fëmijët. Nuk shkonte mirë. Arrinte sa e linin pa bukë të shkretin, ankohej tek unë. ‘Duan të më nxjerrin nga shtëpia’ më thoshte”, ka treguar kryeplaku në një intervistë për Top Channel.

Ai thotë se policia ka shkuar shumë herë në shtëpinë e tyre për shkak të problemeve.

“E rrihnin, godisnin në syrin tim. Ça të them unë… ato ha, pi ,rri dhe punonte ai i shkreti. Familja i thoshin ‘ik nga shtëpia, s’të duam”, tha kryeplaku.

Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga vajza tjetër e viktimës, e cila, në një intervistë për Top Channel ka thënë se babai i saj jetonte në shtëpi, bashkë me gruan dhe vajzën tij.

Ai gjithashtu thotë se të tre punonin, ndryshe nga të afërmit e tjerë që kanë thënë se vetëm viktima punonte.

Anesti Rama, 56-vjeç u mbyt një ditë më parë me tel nga vajza e tij Emanilda Rama, e cila bashkëpunoi me të ëmën për të zhdukur gjurmët. Vajza u arrestua pas ngjarjes, kurse e ëma, e cila pastroi trupin, u arrestua sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë