Politike

Ngërçi në drejtësi. A ikën në shtator bashkë me Vlahutin?

Në shtator, Romana Vlahutin nuk do të jetë më ambasadore e Bashkimit Europian në Tiranë. Por para se të largohet ajo ka vendosur pikërisht fundin e këtij muaji si afatin kur procesi i vettingut për listën prioritare, pra rivlerësimi për kandidatët e organeve të reja të drejtësisë do të ketë përfunduar.

Bëhet fjalë për atë listë me emra që janë kandidatë për në organe si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të përcaktuar në muajt e parë të këtij viti për t’iu nënshtruar me përparësi procesit të vettingut.

“Sot jemi dëshmitarë të progresit të rëndësishëm të vetting-ut dhe lista prioritare duhet të përfundojë aty nga fundi i shtatorit. Ajo do të krijojë mundësinë për ngritjen e institucioneve të reja të vetëqeverisjes së gjyqësorit, që Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të fillojnë funksionimin e tyre”, deklaroi ambasadorja në një intervistë për DW.

Krijimi i këtyre dy organeve do të zgjidhte pjesërisht ngërçin në të cilin ndodhet sot sistemi i drejtësisë si pasojë e vakuumit të krijuar, sidomos në pjesën gjyqësore nga shkarkimet në masë të kryera nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që kanë nxjerrë jashtë funksionit Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

E vetëdijshme për këtë situatë, mazhoranca provoi që të kalojë një ndryshim në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, që do të riaktivizonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm në emërimet e reja. Por, ndryshimet kërkojnë 84 vota, një shumicë që socialistët u përpoqën ta sigurojnë me LSI-në.

Nuk pati konsensus në këtë pjesë dhe në vend të votës për këtë ligj, PD e LSI dolën me një qëndrim të unifikuar me shtatë pika për drejtësinë. Mes pikave ishte edhe ai i abrogimit të ligjeve të miratuara në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca dhe ndalimi i ndërhyrjes së mazhorancës në procesin e vettingut.

Opozita thotë se ky proces po vepron me dy standarde dhe sulmon shumicën se po vendos nën kontroll gjithë sistemin e drejtësisë. Akuzave nuk u ka shpëtuar as Romana Vlahutin. Ambasadorja u është përgjigjur sërish në intervistën e dhënë për DW.

“Ka pasur dhe ende ka shumë përpjekje nga ata që kundërshtuan reformën për shkak të interesave vetiake, që e sulmuan atë me mjete të ndryshme, por që dështuan. Sistemi i ri i gjyqësorit është tani një realitet kushtetues. Pati humbje kohe për shkak të atyre përpjekjeve të dështuara dhe grindjeve politike, por edhe këto të fundit janë pjesë e procesit. Natyrisht, në një reformë kaq gjithëpërfshirëse, të duhet të presësh edhe momente të vështira, por e rëndësishme është që njerëzit kuptojnë se kjo reformë është vendimtare për shoqërinë dhe se nuk është e mundur të ndryshosh në pak muaj atë që është shkatërruar për dekada të tëra”, thotë ajo.

Edhe mazhoranca foli në seancën e fundit parlamentare të këtij sesioni për ngritjen së shpejti të KLGj dhe KLP, si zgjidhje pas mungesës së konsensusit me opozitën për ndryshimet e ligjit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Për përvojën në Shqipëri, Vlahutin thotë se ka një listë të gjatë gjërash pozitive, por nuk harron edhe sfidat që ka kaluar.

“Sfida më e madhe ishte padyshim antagonizmi i brendshëm politik dhe interesat personale të grupeve, që në mënyrë konstante u përpoqën të kërcënojnë, bëjnë shantazh, të ulin dhe sulmojnë përpjekjet për reformat, qoftë kjo reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, financat publike”, deklaron ajo.

Në shtator, Romana Vlahutin do të zëvendësohet nga Luigi Soreca, që si jurist në formimin e tij akademik parashikohet që të mos e ulë vëmendjen për reformën në drejtësi. Soreca i është bashkangjitur Komisionit Europian që në vitin 1999.

Perceptohet si një njohës i mirë i Shqipërisë për shkak të angazhimeve të mëparshme si një nga figurat kyçe në Bruksel për liberalizimin e vizave në Ballkanin Perëndimor, që u mundësoi edhe shqiptarëve lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Përveç kësaj, Soreca është edhe një specialist në fushën e sigurisë dhe ka koordinuar në zyrën e Jean Claude Juncker strategjinë e sigurisë për 2015, vitin e fluksit të madh të emigrantëve në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë