Politike

Ngërçi i Magjistraturës dhe thirrja e Hahn

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn vlerësoi veçanërisht vettingun si një prej elementëve që i dha më shumë pikë Shqipërisë në rekomandimin pozitiv të Komisionit dhe më pas të Këshillit për çështjet e negociatave.

Por, është pikërisht ky vetting që sot po e çon sistemin e drejtësisë në Shqipëri drejt mosfunksionimit total. Aktualisht, vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe po ashtu edhe pa Gjykatë të Lartë. Në të parën procesi i Vettingut përfundoi dhe atë e kaluan vetëm dy anëtarë, Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha.

Në Gjykatën e Lartë, tre anëtarë, Tom Ndreca, Admir Thanza dhe Artan Zeneli u shkarkuan nga KPK, ndërsa Edmond Islamaj e kaloi vettingun, por Komisioneri Publik ka kërkuar një hetim të thelluar të dosjes së tij.

Pas Gjykatës së Lartë, procesi i vettingut do të kalojë tek gjykatat e Apelit. Këtu, me ritmet e shkarkimeve të tanishme, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj lëshoi alarmin se brenda 2019 vendi do të mbetet edhe pa gjykata të tilla.

Për situatën duket se është vënë në dijeni në terma të përgjithshëm edhe Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn.

“Është detyrë e qeverisë dhe e opozitës që të zbatojnë shpejt reformën në drejtësi. Është ironike dhe do të ishte katastrofë që si rezultat i vettingut të hasni një situatë që mos të kemi gjyqtarë”, u shpreh ai.

Hahn nuk foli konkretisht, por bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës kërkohet me ngut për të ndërhyrë në ligjin për statusin dhe organizimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Thirrjes së Komisionerit iu përgjigj fillimisht Monika Kryemadhi.

“E kanë gënjyer kaq shumë komisionerin Hahn, sa nuk i kanë thënë, që për studentët e magjistraturës numrin e vendos KLP dhe KLGJ, të cilat ky kryeministri që e pret nuk ka për t’i ngritur kurrë”, deklaronte ajo përmes rrjeteve sociale.

Nga PD u përgjigj Oerd Bylykbashi. Ai u kthye dy vite pas në kohë për të kujtuar qëndrimin e demokratëve kundër futjes së ligjit për Shkollën e Magjistraturës në Kushtetutë.

“Opozita e kundërshtoi sepse nuk është organ kushtetues dhe nëse do të lindte nevoja për ndryshime, do të bllokohej meqë do të nevojiteshin 3/5. Pasi Rama kapi edhe Shkollën e Magjistraturës, e futi në Kushtetutë vetëm e vetëm që çdo ndryshim më pas të ishte i pamundur pa votën e tij”, thotë Bylykbashi.

Aktualisht në Kuvend ka një propozim të socialistëve, që thotë se zhbllokon situatën. Ndryshimet kërkojnë që kompetencat për emërimin e gjyqtarëve që kanë dalë nga Shkolla e Magjistraturës t’i jepen Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deri në momentin kur do të jetë ngritur Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Ligji kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash, që Partia Socialiste nuk i ka. Për këtë mazhoranca thotë se po diskuton me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke qenë se kjo parti e ka votuar këtë ligj. Ndryshimet, thonë socialistët, janë vetëm proceduriale dhe s’ka arsye se përse LSI të mos i votojë.

Zyrtarisht nga LSI shtrirja e dorës së PS për bashkëpunim është refuzuar. Monika Kryemadhi deklaronte se “nuk do të bënte pazar për të shpëtuar kokën e Edi Ramës”. Megjithatë, jozyrtarisht palët janë në kontakt, me pjesën zyrtare dhe “jozyrtare” të LSI-së dhe nuk përjashtohet mundësia që në fund të këtij procesi LSI-së t’i jenë larguar të tjerë deputetë.

Për ta mësuar këtë do të nevojiten edhe pak ditë, të paktën nga objektivi që i kanë vendosur socialistët vetes për të votuar ndryshimet këtë legjislaturë. Zyrtarisht Parlamenti ka edhe dy seanca para se të marrë pushimet, por nuk përjashtohet mundësia që Gramoz Ruçi të thërrasë një seancë tjetër jashtë datave të përcaktuara nëse arrihet numri prje 84 votash për ligjin e Shkollës së Magjistraturës.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë jo vetëm që të diplomuarit e qershorit në Shkollën e Magjistraturës nuk do të emërohen, por ky institucion nuk do të çelë as vitin akademik 2018-2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë