Treg

Ngec tregu i pensioneve private, rritje e papërfillshme në 2025-n

Nga Gazeta ‘SI’ – Mënyrat alternative të investimit nuk janë ende fort tërheqëse për shqiptarët.

Të dhënat e fundit tremujore nga tregu i pensioneve private, tregojnë se numri i anëtarëve ka kaluar 46 mijë, me rritje 3% nga fundi i vitit të shkuar.

Totali i aseteve neto të fondeve të pensioneve private është 13 miliardë lekë, vlerë kjo rreth 3.8% më e lartë se në 2024. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregon se pjesa më e madhe e këtyre aseteve janë në tituj me vlerë, mbi 8 mld lekë.

Kompania Sigal dominon tregun në vlerë asetesh, mbi 3 mld lekë, ndërsa Credins ka numërin më të lartë të anëtarëve, mbi 19 mijë.

Në një kohë kur skema shtetërore e pensioneve po përballet me vështirësi, qeveria, ekspertët dhe vetë siguruesit kanë apeluar për investime në pensionet private, që njihet dhe si ‘kolona e dytë’ e skemës së sigurimeve.

Ligji i miratuar vitin e shkuar, synonte të nxiste interesin për këtë sektor, ku u ul kosto administrative në 2.5% nga 3% që ishte dhe rritja e vlerës së patatueshme. Po ashtu, pagesat që merr anëtari i fondit privat, nuk do të tatohen më si e ardhur personale, por do të tatohen vetëm për kthimin nga investimi, norma mbetet 15%.

Ndërkohë, qeveria ka disa muaj që rikujton se është në diskutime me Bankën Botërore për një skemë të re pensionesh, ku bashkë me vlerën e pensionit pritet të rritet edhe mosha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë