Drejtori i shkollës 9-vjeçare të Stropckë të Pogradecit, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse, do të dalë para drejtësisë.
Kështuar ka deklaruar ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila duke dënuar ngjarjen e rëndë, ka theksuar se në institucionet arsimore shqiptare nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe.
“Drejtori i shkollës në fshatin Stropckë të Pogradecit do të përgjigjet përpara drejtësisë dhe sigurisht do të marrë dënimin e merituar, sepse në institucionet tona arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe”, - tha Kushi në një postim në Facebook.
Sipas saj, ngjarja thekson rëndësinë dhe përgjegjësinë e lartë “që ka shërbimi psiko-social në shkollat tona, i cili ndihmoi që rasti të identifikohet, trajtohet dhe referohet në institucionet kompetente, duke parandaluar degradimin e mëtejshëm apo ndonjë rrezik të mundshëm abuzimi e dhune ndaj të miturve”.
Kushi nënvizon “forcimin dhe përmirësimin e këtij shërbimi, në bashkëpunim të ngushtë me prindërit, komunitetin, institucionet dhe shoqërinë, për të parandaluar fenomene të tilla të rënda dhe krijuar një mjedis sa më të sigurt e miqësor për të gjithë nxënësit dhe mësuesit”, - tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.