Ka ndodhur

Ngacmoi dy nxënëse, arrestohet mësuesi i fiskulturës që u dhunua në Tepelenë. Pezullohet nga puna

Gazeta Si - Mësuesi i fiskulturës Kleanthi Laçi në Tepelenë, i cili u dhunua nga tre persona dy ditë më parë, është arrestuar pas kallëzimit nga dy nxënëse të tij në shkollën ku jep mësim për ngacmim seksual.

Menjëherë, Zyra Arsimore Tepelenë ka vendosur pezullimin e mësuesit 59-vjeçar nga puna deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Njëri prej personave që ka ushtruar dhunë ndaj tij, është vëllai i njërës prej nxënëseve 13 vjeçare, i cili dje u vetëdorëzua në polici, duke treguar arsyet e aktit të tij.

"Në vijim të veprimeve hetimore, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë u bë ndalimi i shtetasit të dëmtuar K. L., 59 vjeç, për veprat penale "Ngacmimi seksual" dhe "Kallëzimi i rremë". 

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kallëzimet e marra në lidhje me këtë rast, dyshohet se ai ka ngacmuar seksualisht 2 shtetase të mitura", njoftoi policia.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, bëri me dije se “nxënëses menjëherë i është ofruar ndihmë nga punonjësit e shërbimit psiko-social dhe gjithashtu drejtoria dhe stafi i shkollës do të vijojnë mbështetjen për vajzën dhe familjen e saj, për ta kapërcyer këtë situatë”.

Laçi mohoi të kishte ndonjë konflikt me dikë dhe deklaroi se nuk i njihte autorët të cilët e dhunuan. Ai tha se nuk kishte asnjë lloj ideje se përse mund të ishte dhunuar.

Ndërsa 29-vjeçari i arrestuar, A.G., vëllai i nxënësese së ngacmuar seksualisht nga Kleanthi Laçi, deklaroi në polici se ishte kthyer nga emigracioni, pasi motra e tij i kishte rrëfyer se mësuesi i fizkulturës në shkollën ku studion e kishte ngacmuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë